Mbrëmë në Los Anxhelos u zhvillua ceremonia e 97-të e Akademisë së Çmimeve ‘Oscar’.
Filmi “Anora” një histori e një punonjëse në një klub striptizmi në Nju jork, e cila përfiton një shans për një jetë të re pasi martohet me një klient të pasur rus, mori pesë trofe, duke përfshirë çmimin kryesor, atë për filmin më të mirë.
Regjisori Sean Baker fitoi edhe çmimet për regjinë, skenarin dhe montazhin më të mirë.
Xhirimi i Filmit “Anora” kushtoi vetëm 6 milionë dollarë, një buxhet i vogël krahasuar me standardet e Hollivudit. “Anora” doli fituese në një garë të fortë me filmat “Conclave”, për prapaskenat e zgjedhjes së një pape, “The Brutalist” për emigrantët hebrenj dhe muzikalin tepër të ndjekur “Wicked”.
“Nëse po përpiqeni të bëni filma të pavarur, ju lutem vazhdoni të krijoni. Kemi nevojë për më shumë. Kjo është një dëshmi”, tha Sean Baker, regjisor i njohur për krijimin e filmave të vegjël rreth yjeve pornografikë, prostitutave transgjinore dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.
Fitimet e këtij filmi janë rreth 40 milionë dollarë, një shumë e vogël krahasuar me atë të filmit “Wicked” që ka siguruar rreth 728 milionë dollarë.

Aktorja 25 vjeçare Mikey Madison mori çmimin si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Anora”.
Ajo t fitoi ndaj aktores Demi Moore, e cila konsiderohej si favorite për këtë çmim për rolin e saj në filmin “The Substance”.
“Jam rritur në Los Anxhelos, por Hollivudi më është dukur gjithmonë shumë larg . Të jesh këtu, në këtë sallë, është vërtet e pabesueshme”, tha aktorja Madison.

Adrien Brody fitoi çmimin për aktorin më të mirë, i dyti në karrierën e tij. Ai u shpërblye për rolin e tij si një emigrant dhe arkitekt hebre, që ndjek ëndrrën amerikane në filmin “The Brutalist”.
51-vjeçari me origjinë nga Nju Jorku kishte fituar më parë këtë çmim me rolin e tij në filmin “The Pianist”, duke u bërë fituesi më i ri i çmimit të aktorit më të mirë në moshën 29 vjeçare.
“Aktrimi është një profesion shumë i brishtë. Nuk ka rëndësi se ku ndodheni me karrierën tuaj, gjithçka mund të marrë kahje tjetër. Të qenit i vetëdijshëm për këtë është ajo që e bën këtë profesion të veçantë”, tha aktori Brody.
Zoe Saldana mori çmimin si aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj në filmin “Emilia Perez” të kompanisë Netflix.
Ky film fitoi edhe çmimin për muzikën më të mirë origjinale, me këngën “El Mal”.
Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor, për rolin e tij në filmin “A Real Pain”.
Fituesit e çmimeve Oscar zgjidhen nga rreth 11 mijë aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionit të tjerë të filmit që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.
“No Other Land”, një film mbi rezistencën palestineze në Bregun Perëndimor ndaj ushtarëve izraelitë që shkatërrojnë shtëpitë e tyre dhe dëbojnë banorët për të krijuar terren për stërvitje ushtarake, fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë.
“Flow” u shpall filmi më i mirë i animuar, filmi i parë nga Letonia që merr një çmim Oscar. Filmi brazilian “I’m Still here” mori çmimin si filmi më i mirë ndërkombëtar./Voa