Prapa shkëlqimit të sezonit të çmimeve të filmit që kulmoi me ceremoninë ‘Oscar’ të dielën, Hollivudi po lufton për të ruajtur vendin e tij si qendra e industrisë globale të filmit. Pandemia COVID-19, xhirimet më pak të kushtueshme në vende të tjera dhe zjarret e fundit janë disa nga sfidat që po rrezikojnë statusin e Los Anxhelosit si kryeqyteti botëror i filmit.
Asnjë nga pretendentët për fituar çmimin ‘Oscar’ për filmin më të mirë këtë vit nuk është xhiruar në Los Anxhelos, ku për më shumë se një shekull ndodhen kompanitë kryesore të prodhimit të filmave dhe serialëve televizivë.
Studiot e filmit ka vite që po largohen nga Hollivudi, duke u zvhendosur drejt vendeve që ofrojnë stimuj tatimorë, ku xhirimet janë më pak të kushtueshme.
Krijuesit e filmave shpresonin për një rikthim në Los Anxhelos pas grevës së skenaristëve dhe aktorëve në vitin 2023, por statistikat tregojnë se rikthimi është i ngadaltë.
Prodhimi në Los Anxhelos ka rënë me 5.6 për qind nga viti 2023 në 2024, sipas kompanisë ‘FilmLA’. Ky është niveli i dytë më i ulët pas atij të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Zjarret që shpërthyen gjatë janarit shkatërruan disa pjesë të qytetit, duke shtuar shqetësimet se producentët mund të shkojnë diku tjetër, ndërsa punonjësit e industrisë kinematografike mund të largohen në vend që të përpiqen të rindërtojnë jetën në qytet.
Ekziston frika se studiot e Los Anxhelosit si Netflix dhe Walt Disney mund të vendosin të largohen nëse këto prirje vazhdojnë.
“Ka shumë njerëz që nuk kanë punuar për një kohë për shkak të grevave dhe tani zjarreve. Mendoj se këto ngjarje janë një thirrje për zgjim, për të gjithë ata që duan të nxisin prodhimit, të kthehen në Los Anxhelos”, thotë Samantha Quan, producente e filmit ‘Anora’ e cila fitoi çmimin e Akademisë ‘Oscar’ për filmin më të mirë.
Një grup prodhuesish ka nisur fushatën “Qëndro në Los Anxhelos”, me shpresën për të përfituar nga vullneti i mirë pas zjarreve në Kaliforni.
Përveç thirrjeve për stimuj tatimorë, ata gjithashtu po kërkojnë angazhimin e studiove për të rritur prodhimin në Los Anxhelos me të paktën 10 për qind gjatë tre viteve të ardhshme.
“Ky është vendi më i mirë në botë për të prodhuar projekte filmike. Ne kemi ekipet më të mira në botë, prodhuesit më të mirë në botë. Shumica e njerëzve jetojnë këtu. Ata duan të punojnë në shtëpinë e tyre. Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet, kjo është ajo që shpresoj, të kthejmë prodhimin në Los Anxhelos”, thotë Susan Sprung, shefe ekzekutive e kompanisë “Producers Guild of America”.
Një studim me producentë nga kompania ‘ProdPro’ gjeti se Kalifornia ishte vendi i gjashtë më i preferuar për të filmuar në dy vitetet e ardhshme, pas Torontos, Britanisë, Vankuverit, Evropës Qendrore dhe Australisë.
Gjatë ndarjes së çmimeve Oscar të dielën pjesëmarrësit kujtuan zjarret dhe vlerësuan qëndresën e Los Anxhelosit.
Ngjashëm me ceremonitë e tjera të ndarjes së çmimeve, edhe në natën e çmimeve ‘Oscar’ folësit bën thirrje për rritje të prodhimit të filmave dhe serialëve në Hollivud.