Gjimnazi i Kumanovës dy dekada pa objekt, objekti i ri premtohet prej vitesh

Kumanova

Gjimnazi i Kumanovës dy dekada pa objekt, objekti i ri premtohet prej vitesh

Më: 21 maj 2023 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Akoma nuk dihet edhe sa gjenerata nxënësish do të përmbyllin arsimin e mesëm në gjimnazin e improvizuar “Sami Frashëri” i cili tashmë dy dekada funksionon në ndërtesën e ish kombinatit industrial bujqësor. Nga Komuna e Kumanovës thanë se deri në fund të vitit pritet të përmbyllen të gjitha fazat përgatitore që kanë të bëjnë me infrastrukturën, respektivisht parcelën ku duhet të ndërtohet objekti shkollor. Gjithashtu, nga komuna thanë se tashmë është punuar edhe zgjidhja ideore.

“Në fazë të përpunimit janë edhe të tjerat segmente. Pjesa arkitektonike dhe e ndërtimit e kësaj faze janë të përfunduara dhe janë donuar nga ana e bashkëqytetarit tonë, arkitekt Skender Osmani, u janë dhuruar Komunës së Kumanovës ndërsa Ndërmarrja Publike “Kumanvo Plan” është në procedurë dhe po punon në fazat vijuese që janë të nevojshme për formimin e lejes ku do të përfshihet e gjithë kjo zgjidhje ideore. Presim dhe shpresojmë që deri në fund të vitit do të aplikojmë, ajo pjesë që i takon komunës”, deklaroi Aleksandar Jovanoviq, Komuna e Kumanovës.

Në gusht të vitit 2022 Qeveria mori vendim, në bazë të të cilit gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë do të ketë objekt të ri shkollor. Vendimi parashikon ndërtimin e një shkolle krejtësisht të re, e cila do të ndërtohet maksimum për tre vjet nga momenti i miratimit dhe do të kushtojë rreth 120 milionë denarë. Me vendim të Qeverisë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2023 janë paraparë mjete në vlerë prej 50 milionë denarë dhe në vitin 2024, 70 milionë denarë shtesë. Nagri Rexhepi, drejtor i gjimnazit në fjalë tha se pavarësisht paralajmërimeve për objekt të ri, gjimnazi do të vazhdojë të përshtat procesin mësimor në bazë të kushteve momentale që ka, duke u përballur me sfida të ndryshme.

“Deri atëherë ne do të gjendemi ashtu siç jemi gjendur deri tash. I kemi 16 klasa në dispozicion, mësim kabinetik nuk mund të mbajmë sepse ato klasa i kemi të gjitha. Katër klasa i kemi në bodrumin e këtij objekti. Vështirësia tjetër më e madhe është që nuk kemi oborr, jemi në bulevard, në rrugë kryesore, në një rrugë shumë të frekuentuar dhe vështirësia tjetër është që nuk kemi sallë sporti dhe lënda e sportit duhet të mbahet në klasë ose kur janë kushtet e mira të shkohet nëpër oborret e disa shkollave këtu afër”, tha Nagri Rexhepi, drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë.

Objekti i ri i gjimnazit “Sami Frashëri” do të ndërtohet në tokë në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila gjendet në ish-kazermën e Kumanovës. Në vitin e ri shkollor 2023-24, në këtë gjimnaz janë paraparë të regjistrohen 238 nxënës në 7 paralele me mësim në gjuhën shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat