Ende pa u betuar në Parlamentin e Malit të Zi ka nisur ters puna e qeverisë së re të Malit të Zi që e shpalli kryeministri i mandatuar Zdravko Krivokapiq fundjavën që u mbyll.
Një nga partitë pjesëmarrëse në qeveri, përkatësisht Partia Demokratike Popullore e Milan Knezhevit, deklaroi se “qeveria e re duhet të fillojë të heqë thikat e përgjakshme nga trupi i Serbisë që i ka ngulur Milo Gjukanoviqi”.
Knezheviqi shkroi në adresën e tij në Twitter katër ngjarje, përfshirë vendimin për përjashtimin e ambasadorit serb nga Mali i Zi.
“Sa thika ka në shpinë të vëllait dhe sa do të kishte nëse nuk do të ishim vëllezër?”, shkroi Knezheviqi, një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik që është koalicioni kryesor në qeveri.
Ai kujtoi se Mali i Zi njohu Kosovën më 9 tetor 2008, votoi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO më 15 tetor 2015 dhe dërgoi një atashe ushtarak për të festuar masakrën e serbëve në Krajina më 4 gusht 2018.
Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, të shtunën, shpalli non grata ambasadorin serb në Podgoricë, Vladimir Bozhoviqin. Knezheviqi më pas tha se kjo lëvizje përfaqësonte “tronditjet e fundit të politikës antiserbe të regjimit në largim”.