Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka folur për trevat e Rugovës.
Ai në një shkrim të tij ka përmendur edhe Ramush Haradinajn për Çakorrin, Glauk Konjufcën, Gazmend Muhaxherin e Isa Mustafën, përcjell Bota sot.
“Kur fryni rrëshiqi i Gazmend Muhaxherit, u s'kuqem si hekuri e për teh t'aganit shkuem mbas tij deri n'Drelaj e kcyem para tupanit me Isën. Bile bile, pimë edhe ujë Rugove për shnetin e tij. Na piu uji i ftoft e Çakorri kurrë ma s'na ra n'mend”, ka shkruar Lajçi pos tjerash në Facebook.
Ai ka shprehur frikën se “Rugovën e don vetëm Zoti”, pasi Rugovasit e vërtetë nuk blihen për vota dhe nuk shesin troje.
Postimi i tij i plotë:
Po druej se Rugovën e dashka veç Zoti
Se ka Rugovë e din edhe Ai që i krijoi ato male, ato bjeshkë e kroje.
Se kishte rugovas e di edhe unë, që u knoj çdo ditë do emnave që kurrë s'i kam pa e të vorret iu shkoj.
Por, a ka a s'ka ma e din po ai që na pruni e na muer nga ato troje.
Kështu po e kruej kryet tim sot.
Tuejin jo!
Mizat e mia po i mbys t'mos m'lëshojnë vezme n'cullakun pa kapuç, se shallat i kemi ba harrna e tirqit vu n'huj me i tutë sorrat.
E kemi zanat me ba yrish, thoshte kanga maje krahut, me dalë si bletët për derë t'kaushës e mu ba emna: Të Gurra e Dashit, të Guri i Drelit, të Podi i Jakupit, të Kërshi i Vujkut...!
Kanga mos mu këndua kurrë ma pa Moknat, Kacuberrin, Limin e Shekullarin me Kalludrën.
Pa Plavën e Gucinë mos m'u ba dasmat!
E kemi adet mu nxe n'teh taganit e gjak me rrjedhë gurrave, thoshte kanga. Mu ba Livadhe t'Gjakut!
Këtë ma mësuen do poet para meje që bari u asht rritë mbi koka.
Do eshtna n'Dromodol, n'Smilovicë e Çakorr me mësuen me shkrua vargun.
Se ka Rugovë që s'lëvizë e din Zoti, por që ka rugovas që shkojnë herë të nji gjollë herë të tjetra e mësova vet, kur yrish bana bashkë me ta mbas Ramushit e dulem deri të Bjelluha.
Mandej si grethat dulem me Glaukun e Albinit n'Stankaj.
S'i kursyem thirrjet: Priteni Rugovën more heeeeej!
Por u ftofem, si teneqet! Ikëm nga ata.
Kur fryni rrëshiqi i Gazmend Muhaxherit, u s'kuqem si hekuri e për teh t'aganit shkuem mbas tij deri n'Drelaj e kcyem para tupanit me Isën. Bile bile, pimë edhe ujë Rugove për shnetin e tij. Na piu uji i ftoft e Çakorri kurrë ma s'na ra n'mend.
U rehatuem n'sqetullat e hueja e u krymbem tue sha njenin e tjetrin për fajet tona.
Bile mos me qenë ujë Rugova e do djath Rugove me na e kujtua emnin, kishim harrua se jemi rugovas, sepse edhe gjuhën e kemi dredhë pejonqe!
Se ka Vraçevë, Nokshiq e Arzhanicë e din edhe Zoti, por që s'ka njerëz e dimë edhe ne që hiç s'mërzitemi, ashtu siç s'po mërzitemi për do katunde që po mbesin për kitra e për Çakorrin që s'diti kush i kujt kishte qenë!
Jo, Kulla e Zhlebit s'përmendet. As n'shpatullën e pulës nuk shihet ma!
S'çohet vera me baçica, thoshte kanga, por edhe Rugova pa rugovas, bahet e huej!
Rugovas kishte kur shtrohej sofra e sahani mbushej pshesh e tamel për dymbëdhetë lugë, e vargiseshin mbas nji flamuri për dasma e lufta!
Gjollat s'ishin për malësorë se s'bleheshin për vota e nuk shiteshin për troje!
Unë sot kryet tim e krova, tuejin jo. Se do t'mençem me mësuen me dashtë rrasën e gurit për me mujtë me thye kryet e me rritë bimën pa u lakua!
Po druej se Rugovën e dashka veç Zoti!
Kurrizi i Dardaniseë, 03.12.20