Ministri i jashtë i Serbisë, Nikola Selakoviç që po bënë vizitë zyrtare në Qipro, ka biseduar me zyrtarët e këtij vendi rreth situatës në regjion dhe raporteve bilaterale, ndërkohë që sipas tij “Qipro edhe më tutje mbetet te qëndrimi që Kosova është pjesë e Serbisë”, shkruan “Novosti”, transmeton “Bota Sot”.
Serbia ka shprehur qëndrimin e saj s mbështet integritetin dhe sovranitetin e Qipros, ashtu sikur ajo mbështet vendin tonë rreth çështjes së Kosovës.
Këto janë porositë kryesore të takimit të ministrit Selakoviç me homologun e tij Nikos Hristodulidis në Nikozi.
“Dua të falënderoj presidentin dhe zyrtarët tjerë të Qipros lidhur me mbështetjen që i jepni Serbisë lidhur me Kosovën dhe procesit të bashkëngjitjes evropiane”, tha Selakoviç duke shtuar se Serbia dhe Qipro kanë raporte të mira.
Selakoviç sikurse edhe paraardhësi i tij Daçiq ka vazhduar me lavdërime edhe lajka për krerët e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, po për dallim që ai këndonte në këto takime, Selakoviç mëson fjalë në gjuhët e tyre, sikur që bëri duke përshëndetur në gjuhën greke.
Shefi i diplomacisë ka takuar edhe drejtorin e zyrës diplomatike të këtij vendi Kirijakos Kuroso, me të cilin kanë shkëmbyer qëndrime rreth çështjeve të hapura që kanë Qipro edhe Serbia veç e veç, por vërtetuan raportet miqësore mes dy vendeve.