Vizita e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, ka konfirmuar raportet e mira mes Moskës dhe Beogradit, ka thënë ministri pa portofol në qeverinë e Serbisë Nenad Popoviç.
"U konfirmua mbështetja për integritetin territorial dhe rezolutën 1244 si bazë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës", ndërsa redaktorja e “Sputnjik” Ljubinka Milinçiç, tha se raportet mes dy vendeve janë të mira në të gjitha fushat, shkruan “RTS”, transmeton “Bota Sot”.
"Vizita është shenjë dhe konfirmim i raporteve të mira dhe bartje e porosive nga Putin. Po ashtu kjo është konfirmim i raporteve të mira mes Putinit edhe Vuçiqit dhe shtysë për zhvillim të mëtejmë të raporteve politike edhe ekonomike”, tha Popoviç.
Ai u shpreh se vizita konfirmon “mbështetjen e Rusisë për integritetin dhe sovranitetin e Serbisë dhe i jep mbështetje maksimale rezolutës 1244 për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
“Nga ana tjetër, Serbia ka konfirmuar neutralitetin ushtarak dhe mospërfshirjen në asnjë aleancë dhe vendi i vetëm që nuk ka vendos sanksione Rusisë përkundër presioneve. Raportet janë ndërtuar në respektimin e ndërsjellë dhe janë në nivel historik”, u shpreh ai.
Presionet ndaj Serbisë, sipas tij, vijnë jo vetëm nga perëndimi. por edhe fqinjët, "pasi iu pengon zhvillimi dhe qëndrueshmëria ekonomike dhe duan që Serbia të heq dorë nga Kosova dhe të bëhet revidim i marrëveshjes së Dejtonit. Serbia po dëgjon e qetë këto, por nuk dp të ndryshojë politikën e vet, sepse mbron interesat shtetërore" thotë Popoviç.
Redaktorja e “Sputnjik” Ljubinka Milinçiç thotë se Rusia mbështet Serbinë në lidhje me Kosovën, por edhe synimin e saj drejt BE-së.
"Mbështetja ruse në KS dhe konfirmimi se nuk do të ndryshohet qëndrimi i saj. Përderisa ne nuk duam të njohim Kosovën, Rusia do na mbështes në veprime, sepse KS do të votojë si duam ne. Prandaj, është me rëndësi mbajtja e raporteve në këtë nivel, ndonëse nuk shoh çka mund të përfitojmë”, tha ajo.
Duke komentuar ndryshimet në administratën amerikane, Milinçiç tha se kjo nuk ndikon në ndryshimin e qasjes ruse për Kosovën dhe rezoluta 1244 është “tapi” që e mbështet Moska.
"Ne kemi një situatë pak më të lehtë me Trumpin, por askush nuk na ka thënë se nuk duhet të njohim Kosovën. Ne me Trump kemi fituar kohë duke iu falënderuar politikës së zhdërvjelltë, ndërsa koha ndryshon situatën. Pa marr parasysh çka paralajmërohet në skenën amerikane dhe çka kanë punuar dhe arsyetuar punën e atëhershme dhe dëshirën për të përfunduar diçka që kishin filluar, nuk ka më energji negative siç kishte asokohe në Amerikë. Mendoj se Bidenin nuk e do gjysma e ShBA-ve dhe është momenti i mirë për ne se Kosova nuk do të jetë prioritet”, tha Milinçiç.