Vizita e Vjosa Osmanit në Tiranë, ja si e komentojnë analistët politikë

Lajme

Vizita e Vjosa Osmanit në Tiranë, ja si e komentojnë analistët politikë

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 22:01
Vjosa Osmani dhe Ilir Meta

Reagimet nga politika e Kosovës, për deklaratat e fjalimet e Osmanit janë të pakta. Megjithatë, një erdhi nga Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, kur Osmani kritikoi ish-shefin e saj partiak se për fajin e tij u krijuan sfida në institucionet e vendit, me të cilat tashmë i duhet të ballafaqohet.

 Mustafa iu kundërpërgjigj shkurt me ironi: “Të lumtë ne për ushtrues Detyrën e Presidentes!”. Analistët në Prishtinë, reagime të politikanëve në raste të tilla, i cilësojnë më shumë si reaksion i inateve personale.

 “Megjithatë, reagimet e tilla shpesh ndodhin për inate personale e jo përmabjtësore. Pra nuk ka përmbajtje por ka elemente. Më shumë është inat personal për shkak se është kjo lufta për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve dhe çdo temë po bëhet në nivel të zgjedhjeve e jo me përmbajtje që do të duhej të ishin në reagimet që i kanë bërë në këtë rast”, tha Muhamet Hajrullahu.

Analistë të tjerë mendojnë se reagime më të ashpra do të mund të priteshin nga politika kosovare nëse Osmani, do të bënte gabime gjatë kësaj vizite.

 “Megjithatë, unë besoj se nëse ajo do të kishte bërë ndonjë gabim apo ndonjë lapsus në Shqipëri apo kudoqoftë, Isa Mustafa do të ishte i pari që do ta sulmonte në të gjitha llojet e format”, tha analistja Teuta Gashi.

Në fakt kritika për fjalimet e Osmanit në Shqipëri, pati edhe nga politikanë të tjerë, por të një niveli më të ulët. Zyrtarë të partive në pushtet e opozitë nuk u pajtuan sidomos me mospërmendjen nga Osmani në Parlament të UÇK-së.

 “Prandaj, unë si qytetare e Republikës së Kosovës në radhë të parë, si nënë dhe mbi të gjitha si bashkëqytetare e bashkëveprimtare e shumë dëshmorëve të rënë për liri nën betimin e ushtarit të UÇK- së, e krejt në fund edhe si deputete, refuzoj të përfaqësohem nga një njeri, e për më keq nga një kolege imja, e cila shkel qëllimshëm mbi Lavdinë më të Madhe shqiptare në shek. XX – UÇK-në”, tha Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së

Pavarësisht mospërmendjes së UÇK-së, analistët mendojnë se fjalimi i saj në Kuvend ishte i mbështetur në disa pika të forta.

 “Ajo përmendi gjenocidin serb, që duhet ta dënojë Shqipëria, të zhdukurit, vrarët, përdhunuarit e të gjitha kategoritë, gjë që tek ne është parë se nuk e përmendin shumë, veçanërisht kur shkojnë në Shqipëri apo ata kur janë këtu”, tha znj. Gashi.

Megjithatë, analistët deklarojnë se kjo vizitë do të shfrytëzohet nga Osmani, ndër të tjera edhe për promovim të saj me subjektin e ri politik, që do të krijojë.

 “Këtë do ta shfrytëzojë për një lloj promovimi sa më të madh, një PR i mirë le të themi për të në këtë situatë kur dihet fakti se nëse nuk kemi marrëveshje të shpejtë për president, atëherë fundi i shkurtit e fillimi i marsit, do të kemi zgjedhje dhe kjo do të jetë një shtytje apo shfrytëzim i momentit për zonjën Osmani për të promovuar sa më shumë iniciativën e saj që tashmë e ka paralajmëruar kohë më parë”, theksoi Hajrullahu.

Vjosa Osmani ka paralajmëruar tashmë se do ta formojë partinë e saj politike, pas përjashtimit nga LDK-ja.  Aktualisht ajo nuk e ka fshehur se pas zgjedhjeve do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosja e Albin Kurtit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat