BE po përcjell zhvillimet që po ndodhin në Kosovë me rastin e paralajmërimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe kërkon nga Prishtina të respektoj, përmbush marrëveshjet e arritura dhe të vazhdojë të punoj në dialogun me Beogradin, shkruan “Telegraf” transmeton “Bota Sot”.
Këtë e kanë thënë diplomatë nga selia e BE-së në Bruksel për “Tanjug”, ku shtohet se edhe në këto rrethana duhet vazhduar puna në dialog.
“Edhe më tutje nga Prishtina presim përkushtim dhe qasje në respektimin dhe përmbushjen e marrëveshjeve ka deklaruar sipas “Telegraf” zëdhënësi i BE-së Stano.
Ndërkohë lidhur me pyetjen e shtruar nga “Tanjug” rreth vendimit për jo-legjitimitetin e qeverisë Hoti dhe ndikimit që do kenë zgjedhjet në procesin e normalizimit të raporteve mes palëve, nga BE kanë thënë se janë të njoftuar me situatën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe presin publikimin e saj.
“Tash iu mbetet institucioneve të Prishtinës të ndërmarrin hapa të nevojshëm dhe përgjegjshëm në harmoni me gjykimin. BE do të vazhdojë të angazhohet në Kosovë për promovimin e agjendës së integrimeve evropiane edhe të reformave të domosdoshme” thuhet në deklaratën e BE-së, publikuar në mediet serbe.