Ministri serb i Shëndetësisë: Vuçiq më propozoi që në janar të sjellë në Kosovë vaksinën e COVID-19 për të gjitha komunitetet

Lajme

Ministri serb i Shëndetësisë: Vuçiq më propozoi që në janar të sjellë në Kosovë vaksinën e COVID-19 për të gjitha komunitetet

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 17:49
Zlatibor Loncar

Ministri i Shëndetësisë në Serbi, Zlatibor Loncar, ka bërë të ditura prapaskenat e arritjes së vaksinës Pfizer në veri të Kosovës.

Loncar ka thënë se ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ai i cili i ka propozuar atij që gjatë kontingjentit të dytë të janarit të sjellë edhe për komunitetet tjera në Kosovë, vaksinën për COVID-19, (Pfizer, produkt amerikano-gjerman).

”Udhëheqësit e Republikës se Serbisë janë përkushtuar për kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim. Veçanërisht në kohë pandemie e cila tashmë një vit po e terrorizon  mbarë botën, ndërsa ka marrë jetën e afro 2 milionë vetave”.

”Duke pasur parasysh këtë fakt jemi të parët  në rajon dhe të dytët në kontinent si pjesë e Evropës, që e kemi siguruar vaksinën Pfizer kundër Covid-19”.

”Ndaj kështu kemi nisur imunizimin e pjesës së popullatës më të rrezikuar dhe kjo në harmoni me vlerësimet profesionale të OBSH-së”.

”Prandaj konsiderojmë se është interes yni i të gjithëve, të mundësojmë që numri sa më i madh i banorëve të mbrohet nga pandemia. Dhe, kështu të shpëtojmë çdo jetë njeriu, i cili mund të rrezikohet me fatalitet nga prekja me koronavirusin”.

”Kryetari Vuçiq na ka propozuar që nga kontingjenti i ardhshëm i  vaksinës kundër Covidit-19 që pritet të na mbërrijë në fillim të janarit, të sigurojmë sasi edhe për kombësitë e tjera në Kosovë”.

Tutje, Zlatibor Loncar, ka përmendur edhe vaksinimin e qytetarëve të veriut të Kosovës, për të cilat pohon se i mbronë nga pasojat potenciale nga pandemia.

”Para dy ditësh, në Kosovë, janë vaksinuar qindra qytetarë të cilëve u është ofruar preventiva kundër infektimit vdekjeprurës. Me këtë gjë janë mbrojtur edhe nga pasojat potenciale nga pandemia”.

”Besojmë se qëllimi i secilës Qeveri përgjegjëse në botë është që çdo personi t’i ofrohet ndihma maksimalisht, në mënyrë që të shpëtohet të paktën një jetë njeriu. E të mos themi qindra mijëra vetave”, ka thënë Loncar.

Vaksinat e Covid-19 kanë arritur në Kosovë, por jo nga institucionet kosovare.

Me urdhër të Qeverisë së Serbisë në Komunat Veriore janë vaksinuar qindra qytetarë të komunitetit serb.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat