Policia e Kosovës është deklaruar rreth aksidentit tragjik që ndodhi në Rubik, ku humbën jetën katër persona nga Kosova.
Një aksident tragjik ka ndodhur sonte në Rrugën e Kombit, ku kanë humbur jetën katër shtetas të Kosovës, në mesin e tyre edhe dy fëmijë, ndërkaq një 3-vjeçare ka arritur që të shpëtojë.
Sipas raportimeve të deritanishme dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para tij në një pikë kthese.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se janë në kontakt me Policinë e Shqipërisë në lidhje me këtë aksident, i cili ka ndodhur rreth orës 19:00.
“Sot, më 14.01.2021 rreth orës 19:00 është pranuar një informatë nga Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit KS-AL në PKK Vermicë, se në ‘Rrugën e Kombit’ në pjesën e Republikës së Shqipërisë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, dyshohet se si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën katër persona shtetas të Republikës së Kosovës. Ne jemi në kontakt me autoritet policore të Republikës së Shqipërisë dhe për detaje tjera u njoftojmë më kohë”, ka thënë Krasniqi.