Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i mbrojtjes Nebojsha Stefanoviç ka takuar dhe biseduar sot me komandantin e KFOR-it gjeneral-majorin Franko Federici për situatën e sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe bashkëpunimin e Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it, njofton “Tanjug”, transmeton “Bota Sot”.
Stefanoviç ka falënderuar KFOR-in për mbrojtjen e banorëve serb dhe objekteve të shenjta në Kosovë, ndërsa të dy palët vërtetuan përkushtimin që bashkëpunimi mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë të mbahet në nivel profesional, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Ministri përkujtoi se sipas rezolutës 1244 të KS të OKB, KFOR-i përbën formacionin e vetëm legjitim të armatosur në Kosovë dhe pritet që ajo të sigurojë mjedis të sigurt për të gjitha grupet etnike.
Stefanoviç theksoi se përgjegjësia e sigurisë së hapësirës së Kosovës nuk mund të bartet në subjekte tjera dhe përmendi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që për Serbinë është e papranueshme dhe përbënë shkelje të rezolutës së OKB-së.
Ai ka kërkuar nga KFOR-i mbajtjen e nivelit të domosdoshëm operativ dhe tërhoqi vërejtjen se ulja eventuale e numrit të forcës ushtarake duhet të varet nga vlerësimi i situatës në planin politik e ushtarak dhe indikatorit të sigurisë dhe jo bazuar në data.
Stefanoviç nënvizoi domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimin mes Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it në luftën kundër terrorizmit dhe përkujtoi se në Kosovë sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare ka probleme serioze me të kthyerit nga luftërat dhe radikalizmi që përbënë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.