Kur do të vijë në Kosovë vaksina kundër Covid-19?

Lajme

Kur do të vijë në Kosovë vaksina kundër Covid-19?

Më: 26 janar 2021 Në ora: 23:34
Foto ilustrim

Në kohën kur po i afrohemi shkurtit, muaj ky që u paralajmërua se do të arrijnë vaksinat e para kundër Covid-19 ende nuk ka një datë konkrete. Në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë thonë se Kosova është vonuar për sigurimin e kësaj vaksine. Njëjtë vlerësojnë edhe në Shoqatën e të drejtave të Pacientëve.

Kanë mbetur edhe pesë ditë që të fillojë muaji shkurt kur u paralajmërua nga qeveria në detyrë se do të arrijnë vaksinat e para kundër Covid-19 në Kosovë.

Por deri më tani ende nuk ka një datë konkrete për ardhjen e këtyre vaksinave.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Ndërsa nga Federata e Shëndetësisë thonë se institucionet duhet të veprojnë sa më shpejt që të merret vaksina kundër koronavirusit.

“Kosova veç është vonuar për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 nëse i shohim statistikat në regjion. Shqipëria ka filluar me i marrë, Serbia, Maqedonia sigurisht së shpejti fillon…mos me fol për shtet tjera. Konsiderojmë se jemi vonë”, tha Blerim Syla.

Edhe në Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve thonë se vaksina duhet të vijë sa më shpejt pasi Kosova ka humb shumë njerëz si pasojë e koronavirusit.

Në Kosovë nuk kanë arritur ende as vaksinat e premtuara nga Shqipëria për vaksinimin e personelit shëndetësor.

Nga Federata e Sindikatës së Shëndetësisë thonë se me vaksinat nga Shqipëria personeli shëndetësor në Kosovë do të vaksinohet në muajin shkurt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat