Presidenti rus Vladimir Putin, i ka transmetuar sot presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, qëndrimin se Rusia angazhohet për gjetjen e “zgjidhjes së baraspeshuar” të çështjes së Kosovës, e cila duhet të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka njoftuar sot në Moskë agjensia “Tanjug”, transmeton “Bota Sot”.
"Pala ruse ka vërtetuar qëndrimin e saj parimor për gjetjen e zgjidhjes së baraspeshuar, e cila duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, thuhet në kumtesën e Kremlinit të publikuar pas bisedës telefonike mes Vuçiqit dhe Putinit.
Si thuhet, gjatë bisedës Vuçiq njoftoi Putinin për vlerësimin e situatës në lidhje me çështjen e Kosovës, në harmoni me kontaktet që ka pasur me partnerët e jashtëm, transmeton TASS.
Në kumtesën e lëshuar nga Kremlini, tërhiqet vërejtja se Serbia mund të llogaris në mbështetjen e Rusisë në zgjidhjen e kësaj çështje, por edhe çështjeve tjera kyçe.