Gazetari Idro Seferi, ka folur rreth reagimeve në Serbi, karshi peshës së letrës së presidentit amerikan Joe Biden, drejt homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa i kërkon njohjen e shtetit të Kosovës.
Seferi potencoi se Serbia e di se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë një qëndrim të tillë, referuar çështjes së Kosovës, por përsëri refuzon ta dorëzojë njohjen.
”Serbia nuk është që nuk e di se Amerika ka një qëndrim të tillë. Por reagimi i Vuçiqit gjatë ditës së djeshme, ishte se nuk do ta pranojë një gjë të tillë, për shkak se e ka thënë edhe në Shtëpinë e Bardhë, që kjo gjë në këtë formë nuk mund të kalojë”.
”Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më shumë tingëllon si një gjë dramatike, për shkak të emrit, për shkak se Vuçiq nuk doli vet të fliste para gazetarëve, por nxori ministrin e Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq i cili ndër të tjera e përmendi edhe letrën, por tha që fokusi i kësaj letre ishte qëndrimi i Serbisë, lidhur me çështjet e sigurisë në aspektin politik në Kosovë”.
Tutje në Info Magazine, Idro Seferi vlerëson se qasjen serbe kasrshi raporteve me palën kosovare, e ka vështirësuar fitorja e demokratit Joe Biden, i cili dhe u zgjodh i shtetit më të fuqishëm në botë, Amerikës.
”Siç i shoh këto ngjarje, rezulton se për Serbinë ka qenë paksa e vështirë fitorja e Joe Biden, këtë e ka përmend edhe Presidenti Vuçiq para zgjedhjet në Amerikë, që një rezultat i tillë do ta vështirësonte paksa pozicionin e Serbisë”.
”Për shkak se Serbia ka qenë pak më rehat me mënyrat e ambasadorit Richard Grenell dhe të Donald Trump. Duke pasur parasysh që tek serbët, Donald Trump ka qenë i parë si një person që të paktën në këtë rast ‘’nuk do t’ja hante hakun Serbisë’’, dhe do t’i mundësonte që të kishte një fitore në raport me Kosovën”.
”Shumica e njerëzve këtu e dinë që Amerika e ka përmendur çështjen e njohjes reciproke edhe në letrat e mëparshme të vet Donald Trump, por jo dhe në vet letrën e urimit të vitit kaluar për shtetësinë e Serbisë. Presim nëse do të ketë një letër të tillë për Kosovën, me rastin e Pavarësisë së Kosovës, ku do të jetë një diskutim i tillë”.
”Në Serbi reagimi është që ata nuk do ta pranojnë një gjë të tillë, pa shkuar drejt zgjidhjes së kompromisit, dhe pa fituar edhe vet Serbia diçka nga ana e Kosovës. Serbia ka shpresuar që njohja nuk do të ishte pjesë në të ardhmen, për shkak se procesi ishte e fokusuar tek ekonomia”.
Megjithatë nëse njohja do të vinte, Seferi thekson që Serbia mund ta bënte duke kërkuar diçka më tepër sesa kandidatura e saj për në Bashkimin Europian dhe kjo gjë do ishte pjesë territori.
”Është i qartë qëndrimi i Serbisë edhe tutje, që ajo dëshiron të fitojë diçka nga marrëveshja e Kosovës dhe kjo nuk do të jetë vetëm kandidatura e saj drejt Bashkimit Europian”.
”Por kanë qenë qëndrime të qarta që Serbia kërkon një pjesë të territorit të Kosovës, ose një riorganizim përmes asaj që quhet Asociacion i Komunave Serbe. Vështirë që do të ketë hapa pozitiv nga Serbia, drejt bisedimeve”.