Kryesuesi i KPK-së priti në takim Udhëheqësen e Sektorit të Sundimit të Ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku, ka pritur në takim Udhëheqësen e Sektorit të Sundimit të Ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jennifer Blakeney.
Në fokus të këtij takimi ishte shprehja e gatishmërisë për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e qasjes së partneritetit, që përmban vizione të përbashkëta për avancimin e sistemit prokurorial.
Fillimisht, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka falënderuar Udhëheqësen e Sektorit të sundimit të ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jennifer Blakeney, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e veçantë në ofrimin e bashkëpunimit për vlerësimin, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, si dhe për ndihmën e ofruar në reformimin e administratës dhe planifikimit të politikave për vendimmarrje.
Nga ana tjetër, Udhëheqësja britanike e këtij sektori, Blakeney, ka uruar Kryesuesin Maloku për detyrën e re, meqenëse, ky ishte takimi i parë i tyre në kuadër të mbajtjes së takimeve të rregullta, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbarëvajtjen e rregullt të proceseve të rëndësishme në sistemin prokurorial.
Me këtë rast, në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit janë pajtuar se do të punohet në mënyrë sistematike për tejkalimin e sfidave dhe vështirësive, me anë të angazhimit të përbashkët për realizimin e sundimi të ligjit në Kosovë.