Ka ndërruar jetë Sadri Kastrati, veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan gazeta “Bota sot”.
Lajmin e ka bërë me dije miku tij, Skënder Tolaj, përmes një statusi në llogarinë e vet në “Facebook”, ku ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e mikut dhe veprimtarit të LDK-së.
Sadri Kastrati si veprimtar i kamotshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë, dhe i çështjes kombëtare, nuk u ndal për asnjë moment për bërjen e Kosovës shtet të pavarur. Ai nuk e ndërpreu punën intelektuale deri në ditët e fundit të jetës.
Kastrati ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe i kolonel Tahir Zemajt, kryekomandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Sadri Kastrati ishte një bashkëpunëtor i përkushtuar i gazetës sonë, dhe si një njëri i dashur që ishte, ai shpeshherë e ka vizituar redaksinë edhe nga afër.
Redaksia e gazetës “Bota sot”, i shpreh ngushëllime familjes dhe të gjithë shokëve dhe miqve të tij të shumtë.
Lamtumirë Sadri Kastrati, një mik i mirë e bashkëpunëtor i gazetës “Bota sot”.