Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Igor Galiç njoftoi vendimin për mbylljen e komunës së Ulqinit, duke u nisur nga situata e rënduar epidemiologjike.
Kështu, do të mbyllen të gjitha institucionet arsimore, qendrat tregtare, qendrat sportive si dhe parqet publike. Në ambientet publike nuk lejohet grumbullimi i më shumë se katër personave, ndërsa mbajtja e maskës është e detyrueshme si në ambiente të mbyllura, ashtu edhe të hapura.
Drejtorja e përgjithshme e RTV Teuta në Ulqin, Ilmira Lika, thotë se mbyllja duhet të ishte bërë më herët pasi rastet e të infektuarve me Covid-19 janë në rritje.
“Ulqini e kishte më se të nevojshme një mbyllje të tillë. Ndoshta jo nga dita e djeshme, por edhe më herët është dashur të bëhet një gjë e tillë”, tha ajo.
Ajo bën përgjegjës qytetarët dhe organet inspektuese në terren, të cilat sipas znj. Lika nuk kanë respektuar siç duhet masat anti-covid.
“Gjëja e parë është papërgjegjësia e qytetarëve, por edhe organet inspektuese nuk e kanë çuar deri në fund detyrën siç është dashur. Të gjithë jemi në këmbë për të zbutur situatën, e cila ka eskaluar dhe duhet të rikthehemi në normalitet, por do jetë e vështirë se ka shumë raste infektimesh”, tha ajo për Euronews Albania.
Dalja nga banesa është e lejueshme nga ora 05:00 deri në orën 21:00. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se vendimi u mor për të mos bllokuar plotësisht Malin e Zi.