Deputeti shqiptar i koalicionit “Njëzëri” Fatmir Gjeka ka komentuar deklaratën e kryeministrit malazez Krivokaçiç se asnjëherë nuk do jepte pëlqimin për pranimin e Kosovës.
Në situatën kur është çështje kohe kur Serbia do detyrohet të pranojë pavarësinë e Kosovës, deklarata e kryeministrit malazez Krivokaçiç për mediet beogradase rreth Kosovës është shkurtpamëse, e pakuptueshme dhe e dëmshme, vlerësoi Gjeka lider i Partisë Demokratike.
"Para së gjithave edhe për qeverinë e tij të brishtë dhe për te personalisht është shkurtpamëse dhe e dëmshme dhe minon pozitën e tij në planin regjional edhe ndërkombëtare, por edhe brenda vendit. Sepse beteja për Kosovën ka përfunduar moti. Kush nuk e kupton këtë, ka huq kohën dhe hapësirën në të cilën jeton. Andaj i nderuar kryeministër vonë ke mbërri në Kosovën e rrafshët", porositi Gjeka.
Ditë më parë kryeministri malazez Krivokaçiç ka deklaruar se një pjesë e banorëve të vendit çështjen e Kosovës e ka emocionuese dhe e konsideron pjesë të Serbisë.
"Ajo pjesë e popullit do mendoj ashtu pa marr parasysh marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Prishtinës edhe Beogradit. Po të isha kryeministër i Malit të Zi në situatën kur Mali i Zi ende nuk e kishte njohur Kosovën, asnjëherë nuk do jepte pëlqimin për njohje. Por kjo ka përfunduar para ardhjes time në qeveri”, ka deklaruar ai ditë më parë.