Të dhënat nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë zbuluar se anëtarët e njohur të organizatave nacionaliste serbe çetnikë janë akuzuar për krime lufte.
Ministria e Sigurimit ka paralajmëruar se grupe të tilla janë kategori ekstremistësh që mund të përbëjnë një rrezik për sigurinë.
Ajo ka theksuar se tubimet e trazuara të nacionalistëve serbë, të cilët identifikohen si çetnikë, shkaktojnë frikë te boshnjakët që janë kthyer për të jetuar.
Sipas Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), Agjencia Shtetërore për Investigim dhe Mbrojtje e Bosnjë dhe Hercegovinës po monitoron shoqatat, emrat e të cilave përmbajnë fjalët “çetnik” dhe “Ravna Gora”.
Çetnik ishin anëtarë të një force guerile nacionaliste serbe, e cila u formua gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u rezistuar pushtuesve të Boshtit dhe bashkëpunëtorëve kroatë.
Ata zhvilluan një luftë civile kundër guerilëve komunistë jugosllavë, partizanëve.
Pas dorëzimit të ushtrisë jugosllave në prill 1941, ushtarët serbë në të gjithë Jugosllavinë ngritën çeta ose “banda”.
Më të rëndësishmit ishin ato të organizuara në rrethin Ravna Gora të Serbisë Perëndimore, nën kolonelin Dragoljub (Draža) Mihailović.
Termi “çetnik”, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, u ringjall në dy kuptime.
Nacionalistët serbë, duke e lidhur termin me besnikërinë dhe një mbrojtje aktive të kombit, e përdorën për të përshkruar formacione të ndryshme paraushtarake që luftuan për kauzën serbe të Bosnjës.
Në Kroaci dhe Bosnjë, megjithatë, kuptimet negative të termit, të nxitura nga ish-regjimi komunist u riaktivizuan.
Të gjitha njësitë e armatosura pro-serbe u përshkruan nga kundërshtarët e tyre si çetnikë, por në këtë rast termi mbante konotacione të intolerancës nacionaliste, statusit të parregullt ushtarak dhe përkushtimit ndaj një ideali historik të vjetruar.
Në vitin 2017, vlerësimi vjetor i Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës për krimet dhe kërcënimet e sigurisë, ngriti alarmin për shoqatat çetnike, duke paralajmëruar se “ekstremizmi etnik/kombëtar ekziston.
Shoqatat e çetnikëve janë të angazhuara për “të mohuar në mënyrë agresive legjitimitetin e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për të penguar integrimin euro-atlantik të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Ministria e Sigurimit.
Anëtarët e Lëvizjes Ravna Gora u mblodhën në Visegrad më 10 mars 2019, me uniforma të zeza dhe thuhet se këndonin këngë provokuese etnike.
Agjencia e lajmeve AFP njoftoi në atë kohë se çetnikët u filmuan duke kënduar se “Lumi Drina do të jetë përsëri i përgjakur”.
Visegradi, i cili ndodhet buzë lumit Drina, ishte skenë krimesh lufte nga serbët kundër boshnjakëve në 1992.
Në fillim të prillit 1992, shpërtheu lufta mes myslimanëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve të Bosnjës nga ana tjetër. Bosnja e fiton njohjen ndërkombëtare një ditë më pas.
Nën udhëheqjen e Radovan Karaxhiçit dhe të armatosur nga ushtria serbe, serbët e Bosnjës deklaruan se territoret nën kontrollin e tyre i takonin një njësie të quajtur Republika Serbe. Shumë shpejt kroatët e Bosnjës u kthyen kundër myslimanëve të Republikës.