Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç bisedoi përmes video-takimit me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit dhe të dërguarin për Ballkan të Departamentit, Palmer për raportet bilaterale, situatën në regjion dhe dialogun.
Ajo ka nënvizuar se një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë është avancimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat me ShBA, duke përkujtuar 140 vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike mes dy vendeve.
Lidhur me dialogun me Prishtinën, ajo theksoi se Beogradi mbetet i përkushtuar për dialog dhe është i gatshëm për vazhdimin e tij duke insistuar në përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme.
Në kumtesë thuhet se i dërguari amerikan Palmer ka thënë se ShBA mbështet procesin që udhëhiqet nga BE dhe pret së shpejti vazhdimin e dialogut.
"Ai nënvizoi rëndësinë që kanë përmbushja e obligimeve të marrëveshjes së Brukselit, duke vlerësuar se ato pjesë të përmbushura kanë ndikuar në jetën e qytetarëve. Kompromisi është bazë jo vetëm e dialogut por edhe marrëveshjes së ardhshme dypalëshe. Interesi parësor i ShBA është stabiliteti dhe siguria në Ballkan”, thuhet në kumtesën e qeverisë.
Brnabiç ka përsëritur se Serbia është e përkushtuar për avancimin e raporteve me fqinjët dhe këtë e ka bërë duke ndihmuar këto vende me ndihma edhe vaksina.