Lideri i Lëvizjes “Çlirimi” Mlagjan Gjorgjeviç, ka pyetur nëse është e vërtetë se pushteti në Serbi ia ka ofruar Prishtinës 1 mijë dokumente rreth akuzave ndaj Thaçit, Haradinajt edhe liderëve tjerë të UÇK-së, si zëvendësim për heqjen e padisë ndaj Milan Radoiçiç, shkruan “Beta” transmeton “Bota Sot”.
Ai thotë se këtë informatë e ka marrë nga pjesëtarët aktiv të shërbimeve të sigurimit.
"Kjo është informata më e rëndësishme dhe më skandaloze tek e cila erdhëm dhe që na është konfirmuar nga shumë burime, se dokumentet që iu janë dhënë institucioneve dhe shërbimeve tona nga Gjykata Speciale, më pas u gjetën në Prishtinë. Kështu shqiptarët i mësuan bazat e akuzës ndaj Thaçit, Veselit e tjerëve dhe me kohë vepruan në mënjanimin e fakteve edhe dëshmitarëve”, tha ai.
Ai përmendi deklaratën e kryeprokurorit Smith se në Kosovë po bëhet shqetësimi dhe frikësimi i dëshmitarëve.
"Pyes direkt Vuçiqin edhe Listën Serbe, a është e vërtetë se këto dokumente janë paguar me para dhe shërbime politike? A është e vërtetë se pjesë e kësaj pako është edhe heqja e padisë për Milan Radoiçiç për organizimin e grupeve kriminale që janë të ndërlidhura me vrasjen e Ivanoviqit”, tha Gjorgjeviç.
Lideri i “Çlirimit” tha se tërheqja e padisë erdhi pas takimit në një restorant në Ujman (Gazivodë), ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Listës Serbe, shërbimeve serbe, ministri i brendshëm i Kosovës Veliu dhe një biznesmen nga Podujeva.
"Pas këtij takimi, ministri i Drejtësisë Selim Selimi, që vjen nga partia e Haradinajt hoqi padinë për Radoiçiç... Aleksandar Vuçiq duhet të na përgjigjet në këtë dhe të sqarojë lidhjet e Listës Serbe me liderët e UÇK-së? Cili është roli i Tony Blair dhe bashkëshortes së tij Çeri, zyrën e së cilës e angazhuan edhe qeveria serbe edhe ish-liderët e UÇK-së në të gjithë këtë skandal", tha Gjorgjeviç.