Mostrat e gërmimeve në Kizhevak dërgohen në Hagë

Lajme

Mostrat e gërmimeve në Kizhevak dërgohen në Hagë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 20:48
Foto ilustrim

Në Hagë të Holandës ku e ka selinë Komisioni Ndërkombëtar për personat e pagjetur, Serbia ka dërguar disa mostra.

Dyshohet se ato janë të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë nga shteti i Serbisë e që në nëntor të vitit 2020 u gjetën në Kizhevak të Serbisë, ku u zbulua një varrezë masive.

Kizhevaku tani është konservuar deri në fund të muajit mars kur pritet të rinisin gërmimet; kurse rezultatet e analizës së ADN-së pritet të iu dorëzohen autoriteteve serbe dhe atyre kosovare.

“Ai është interpretim profesional i mjeko-ligjorëve. Merret një copë kockore dhe dërgohet. Analizat bëhen në nivelin më të lartë shkencorë e profesional mjekësor. Pastaj bëhet krahasimi me rezultatet e analizave të gjakut dhe kur ka përputhje bëhet identifikim” tha Ramë Manaj, nga Komisioni qeveritar për personat e pagjetur.

Ndërkohë në pranverë do kërkohet që të ketë gërmime edhe në një lokacion tjetër në tokën serbe.

Në Shtaval të Sjenicës dyshime ka se u groposën trupa të të vrarëve që janë sjellë aty nga Kosova, si pjesë e ndërmarrjes së organizuar shtetërore të Beogradit për fshehjen e gjurmëve të krimit.

Edhe 1643 persona kërkohen që nga viti 1999, qëkur përfundoi lufta në Kosovë.

E para ca javësh ish-pjesëtari i policisë së Serbisë, Jovan Goluboviq, rrëfeu se godina e xhandarmerisë serbe në një komunë në jug të vendit është ndërtuar mbi hapësirën ku sipas tij, ishin varrosur trupa njerëzish.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat