Gjenerallejtënant Rrahman Rama në vizitë zyrtare në Itali

Lajme

Gjenerallejtënant Rrahman Rama në vizitë zyrtare në Itali

Më: 19 mars 2021 Në ora: 14:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Me ftesë zyrtare të homologut të tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ishte në vizitë zyrtare katërditore në Republikën e Italisë. Me këtë rast, me nderimet më të larta ushtarake, ai u pritë nga autoritetet më të larta ushtarake italiane.

Nëpërmjet një komunikate për media Ministria e Mbrojtjes, tregon se “Në takimet përkatëse u diskutua për format e implementimit të planit të veprimit në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të dy forcave. Nga ana e tij, gjeneral Rama, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të shtetit dhe forcave italiane për rolin e tyre të madh në kuadër të misionit të KFOR-it në përgjithësi si dhe për kontributin e madh për ndërtimin, zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të FSK-së në veçanti”.

Gjithashtu, gjeneral Rama i njoftoi me progresin e FSK-së në realizimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, kapaciteteve aktuale dhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse duke theksuar nevojën dhe rëndësinë e mbështetjes nga pala italiane në këtë aspekt.

Me këtë rast ai, theksoi objektivin strategjik për të ndërtuar forcat tona sipas standardeve më të avancuara dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve të NATO-s, për të qenë kompatibile për operacione të përbashkëta paqeruajtëse. Nga ana e autoriteteve italiane, u vlerësuan lart të arriturat e deritashme të FSK-së si forcë profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Në fund të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në mes të dy forcave të thellohet dhe intensifikohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat