Ambasadori amerikan dhe ish i dërguari special i ShBA-ve për bisedime Frenk Vizner, tha se qëndrimi i tij qysh nga 2005 është se Serbia duhet të njoh Kosovën, por Beogradi nuk është e detyrueshme ta njoh de jure Kosovën, por ta bëjë jo formalisht, transmeton “Bota sot”.
“Besoj fuqishëm se dialogu duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë dhe këtë e kam thënë qysh në 2005. Pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe zgjidhur dhe rruga më e mirë e Serbisë është që të pranojë këtë. Dhe nuk ka nevojë dehure, por de facto. Për mua personalisht do të ishte më mirë që Serbia ta bëjë njohjen de jure, që të mundësojë qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave edhe të punohet në çështje praktike dhe çdo gjë do rrjedhë më lehtë, të paktën de facto ta njoh Kosovën”. tha Vizner.
Në pyetjen a është optimist dhe çfarë pret nga qeveria e re e Kosovës, Vizner tha “mendoj se do ketë rrugë të vështirë për të dy palët si nuk ishte lehtë as deri tash. Shumë çështje duhen të zgjidhen dhe dallimi mes qeverive është i thellë, nuk do të jetë lehtë”.
Ndërsa lidhur me qëndrimin e Kurtit se dialogu është prioriteti i katërtë dhe paralajmërimit të kërkimit të dëmshpërblimit, Vizner u shpreh se nuk ka analizuar parimet dhe nuk mund të i komentoj. Është e padobishme të vendosen parakushte për dialog sepse pastaj nuk ka dialog, nëse dëshironi dialogun duhet bërë pa kushte.
Vizner në pyetjen nëse dialogu po zgjat shumë , theksoi se kjo varet nga qëllimet e palëve, nëse Kosova kërkon njohje nga Serbia, e Serbia nuk do ta njoh, dialogu do zgjasë.
Pse mendon se Serbia do të njoh Kosovën, ishte pyetja tjetër ku Vizner tha “Ky është vendim që duhet ta marr Serbia, unë atë e shikoj nga një kënd tjetër. Cili është shkaku që mos të pranohet Kosova që është e pavarur me vjet, jeton e pavarur nga Serbia dhe u njoh nga bashkësia ndërkombëtare. Pse mos të vazhdojë jeta, të hapet Ballkani dhe të përparojnë shtetet”.
Lidhur me presionin e mundshëm të presidentit Biden ndaj Beogradit, ambasadori amerikan Vizner tha se “Nuk kam vërejtur një teori të tillë nga Uashingtoni. Administrata Biden do të i qaset në mënyrë të ndershme, Biden ka thënë se dëshiron raporte të fuqishme me aleatët evropian. Interesi amerikan është paqja në Evropë, që do thotë zgjidhjen e problemeve, ajo që shoh është mbështetja e palëve për tejkalimin e dallimeve. Biden është në post vetëm dy muaj dhe ende nuk shoh hapa konkret.
Rreth interesave ruse në Ballkan dhe raporteve me ambasadorin rus Harçenko, Vizner tha se e njeh moti, kanë punuar së bashku. Rusia dëshiron të luaj rol në Ballkan, por qëllimi i Ballkanit është integrimi në BE dhe derisa Moska të kuptojë këtë, ka hapësirë respektimi të interesave reciproke në Ballkan.
Nëse do ketë lëvizje në dialog dhe ngjashmërisë mes Kosovës edhe Bosnjes, Vizner tha “Nuk duhet të ndërlidhen, janë ndryshe dhe duhet trajtuar ndryshe. Do të doja të shoh dhe besoj se është në interesin e Beogradit edhe Prishtinës të arrijnë marrëveshje duke mos nënvlerësuar historinë dhe pozicionet e palëve. Me rëndësi që dy palët të kuptojnë se pa bashkëpunim dhe jetë normale nuk ka të ardhme.
Lidhur me punën e Gjykatës speciale dhe faktit se Thaçi ishte aleat i ShBA-ve, Bizner tha nuk mund të komentojë rastet që janë në gjykatë, pasi nuk di faktet që do prezantojë prokuroria. E njoj Thaçin dhe admiroj atë që kam bërë me te dhe çështja duhet zgjidhet në kuadër të ligjit.
Për marrëveshjen e Uashingtonit, ambasadori Vizner tha se “nuk ishte mbështetës i saj as kur u nënshkrua, sepse BE dhe ShBA duhet të punojnë së bashku, asokohe Evropa ishte e përjashtuar. ShBA në atë moment luajtën rolin në Kosovë kur nuk u pajtuan me qeverinë Kurti dhe kjo ishte përzierje në çështjet e brendshme të Kosovës andaj nuk isha mbështetës i asaj që ndodhi në Uashington”.
Nëse Kosovën edhe Serbinë i sheh pjesë të BE-së, Vizner tha “Kjo duhet të jetë ambicie e Prishtinës edhe Beogradit por edhe vetë BE-së”.
Ndërsa lidhur me faktin se nëse nuk ka marrëveshje a ka rrezik nga shpërthimi i konfliktit të ngrirë, Vizner tha “ Pa ndonjë marrëveshje gjërat do vështirësohen. Rreziku më i madh se konfrontimi është rasti i lëshuar. Nëse dy kombet punojnë së bashku, hapin kufijtë dhe krijojnë kushte normale edhe pa njohje të ndërsjellë atëherë mund të përparojnë dhe i gjithë regjioni do të jetë më mirë. Nëse nuk ka marrëveshje i gjithë regjioni do të jetë më keq, pra të gjithë do përfitojnë nëse bëhet marrëveshje “jeto dhe le të tjerët të jetojnë”. Do të doja që marrëveshja përfundimtare të formalizohet në kuptimin që Serbia të njoh Kosovën dhe Kosova të pranohet në organizatat ndërkombëtare, prandaj parimi “jeto dhe le të tjerët të jetojnë” është të paktën diçka që mund të arrihet.