40 vjet më parë parullat “Republikë, Kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë” ishin shpërndarë gjithandej nëpër kryeqytet si kundërpërgjigje ndaj represionit jugosllav dhe serb në vend, të nisura nga studentët e të përqafuara nga i gjithë populli.
Krejt kjo periudhë njihet edhe si “Pranvera shqiptare e vitit 1981”, të cilës i kishte paraprirë Nëntori pranveror i vitit 1968.
Të mërkurën e 9 marsit të vitit 1981 një grup studentësh kishte planifikuar demonstratën e 11 marsit, e më pas përpjekjet e shqiptarëve për çlirim nga okupatori serb nuk pushuan asnjëherë, deri sa u arrit liria në vitin 1999.
Kryetari i shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni ishte një nga protagonistët e Pranverës shqiptare, i cili me xhelozi ruan kujtimet e asaj kohe.
Atëbotë Hyseni ishte në vitin e 4-të të ilegalitetit dhe ishte përkushtuar që të mos lejonte shokët dhe shoqet të ekspozoheshin si militantë të lëvizjes ilegale.
Ai kujton për KosovaPress arsyet që e nxitën të kthehej nga Zvicra për të shërbyer në atdhe.
Hyseni: Pranvera shqiptare është gufim rinor, i cili u bë gjithëpopullor
“Pranvera shqiptare, edhe në fillimin e saj, më 11 mars, edhe më 26 mars, edhe me 1 e 2 prill e pastaj gjithandej nëpër Kosovë, në të vërtet është një gufim rinor, studentor fillimisht, që u kthye e u bë gjithëpopullor. Kush e organizoi, e organizoi gjendja e krijuar, e organizoi koha, gjendja e krijuar, çështja e pazgjidhur e shqiptarëve dhe amanetet e të parëve, e organizoi pabarazia që imponohej atëherë, represioni që po rritej, burgosjet e bijve më të mirë të Kosovës, Adem Demaçit, vetëm një vit përpara”, thotë ai.
Një nga kulminacionet ishte insistimi i Jugosllavisë që më 1 prill të vitit 1981 shqiptarët të regjistroheshin në çfarëdo etnie, veçse shqiptarë jo, për çka Hyseni thotë se u desh një reaksion dhe përgjigje ndaj kësaj fushate qëllimkeqe e aq të dëmshme.
Hyseni: U desh t’i përgjigjemi fushatës shumëdjallëzore të Jugosllavisë
“(Pranvera shqiptare) Ishte sfidë dhe kontestim i motos ‘edhe pas Titos, Tito’, insistimi që Jugosllavia të konsiderohet e përhershme, dhe kjo veçanërisht në Kosovë të forcohej, dhe në këtë vazhdë planifikohej që më 1 prill të organizohej regjistrimi i popullsisë, proces të cilit i kishte paraprirë një fushatë shumëdjallëzore për t’i detyruar shqiptarët që të trajtohen, të ndjehen e të regjistrohen si myslimanë, turq, jugosllavë, si të papërcaktuar, si goranë, malësor etj., vetëm që ta zvogëlonin qenien shqiptare në aspektin demografik. Të gjitha këto meritonin reaksion e përgjigje. Prandaj, gufoi siç gufon pranvera dhe u përhap siç përhapet blerimi e lulet e pranverës”, thotë ai.
Ai thotë se parullat “Duam shokët tanë”, “Lironi shokët tanë”, ishin parullat që shprehnin shqetësimin për bashkëveprimtarët e burgosur nga regjimi jugosllav. Teksa kujton se të gjitha parullat ishin botuar në shtypin ilegal të kohës.
Hyseni: Parullat që u shpërndanë ishin shprehje e sfidave me të cilat ballafaqohej populli
“Parullat që u shpërndanë ishin shprehje e këtyre sfidave. Jo rastësisht kishte dalë parulla ‘Duam barazi, duam kushte’, meqë barazia nuk ishte vetëm studentore, kërkohej për gjithë Kosovën. Prandaj, kishte parulla: ‘Kosova Republikë’, ‘Vetëvendosje’, ‘Republikë, Kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë’, sepse dëshirohej që të bëhej në mënyrë të mirë, por ishte gatishmëria që të shkohej edhe me forma të tjera. Dhe, kështu me radhë u përhap dhe u kthye në lëvizje gjithëpopullore që Kosovës edhe i kushtoi, por e ngjalli edhe njëherë frymën e lirisë së popullit të shumëvuajtur të Kosovës dhe e këndelli edhe opsionin e botës demokratike, liridashëse, e ndërkombëtarizoi në një masë të madhe çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe, u bë në njëfarë mënyre, preludi i lëvizjes që nuk u ndal më dhe kulmoi me Epopenë e lavdishme të UÇK-së, e cila me Aleancën Veri-Atlantike i dha dërrmën pushtuesit serb dhe i hapi perspektivën e Kosovës së pavarur, demokratike”, kujton ai.
Duke thënë se lulet më të bukura ishin dëshmorët, Hyseni me pak fjalë përmbledh Pranverën Shqiptare të vitit 1981.
Hyeni: Lule ishin të gjithë, por lule të veçanta ishin dëshmorët e shumtë
“Lule ishin të gjithë ata që merrnin pjesë, po lule të veçanta ishin dëshmorët e shumtë, ishte një dyzinë dëshmorësh e ishin qindra të plagosur. Këtu në Shoqatën e të Burgosurve ka disa të burgosur që janë pa gishta, me gjymtyrë ose ndonjë pa sy, dhe kishte edhe vajza që ishin plagosur me plumb, Besë Ahmeti e të tjera. Pranvera vjen në kohën e saj, por ndonjëherë vjen edhe në vjeshtë”, tha ai.
11 marsi 1981 dhe gjithë pranvera 81 ishin një kthesë që lëvizi Kosovën dhe gjithë kombin.