Petkoviç e pranon se Perëndimi nuk do të heq dorë kurrë nga Kosova si shtet i pavarur

Lajme

Petkoviç e pranon se Perëndimi nuk do të heq dorë kurrë nga Kosova si shtet i pavarur

Nga: F.B Më: 21 prill 2021 Në ora: 13:31
Petar Petkoviç

Me rebalanc të buxhetit Serbia, ka ndarë 4 miliardë dinar për ndihmë të popullatës serbe në Kosovë.

Kështu ka deklaruar drejtori i zyrës së ashtuquajtur për Kosovë Petar Petkoviç, duk njoftuar se mjetet janë për ndihmë financiare të qytetarëve dhe investime kapitale si spitali rajonal, ndërtesa, çerdhe dhe ndërtesa e re e Universitetit në veri të Mitrovicës, shkruajnë mediet serbe, transmeton “Bota Sot”.

Ai për Tv Pink tha se me iniciativë të Vuçiqit, qeveria ka ndarë shumë të konsiderueshme të mjeteve për të siguruar paqen, të ardhmen dhe ekzistencën e popullit në Kosovë.

Ndihmat do të jenë nga 200 euro për secilin të punësuar, ndërsa nga 100 të gjithë të tjerët përfshirë fëmijët, pensionistët dhe tjerët.

“Kështu, një familje mund të përfitojë prej 500 deri 800 euro ndihmë, kjo do jetë ndihmë posaçërisht për serbët në jug të Ibrit, që jetojnë më vështirë se në veri”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se janë ndarë mjete edhe për ndërtimin e spitalit të ri në Graçanicë, ku gravitojnë mbi 600 mijë njerëz, po ashtu do ketë investime në Qendrën Klinike në veri të Mitrovicës, ndërtimin e ndërtesës së Universitetit dhe disa çerdhe.

Pritet të mbështetën edhe fermerët dhe bujqit nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Sikurse edhe ndërtimi i 15 objekteve të banimit me 180 banesa për serbët.

“Kjo dëshmon investimin nga shteti në hapësirën e Kosovës, ku duam të ndërtojmë paqe dhe me dialog të arrihet kompromisi, përmes projekteve tregojmë raportin tonë për Kosovën”, tha ai.

Perëndimi nuk do heq dorë kurrë nga Kosova si shtet i pavarur

Sipas tij, Prishtina nuk dëshiron dialog dhe nuk i bëhet vonë për zgjidhjen e kompromisit, nuk merr pjesë në mini Shengen dhe iniciativat tjera të Vuçiqit.

Ai përmendi edhe kalimin e 3 mijë ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe mos përmbushja e formimit të Asociacionit. Ai po ashtu përkujtoi për 33 incidente që kanë ndodhur së fundi në Kosovë.

“Situata në Kosovë nuk është e lehtë, perëndimi nuk do të heq dorë kurrë nga Kosova si shtet i pavarur, ne duam zgjidhje kompromisi dhe dalje nga konflikti i ngrirë dhe zgjidhje të problemeve në regjion”, deklaroi Petkoviç.

Ai shtoi se nuk do pranohet asnjë presion a kërcënim dhe pa Beogradin nuk ka marrëveshje dhe këtë duhet ta dinë të gjithë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat