Drejtori i zyrës së ashtuquajtur për Kosovën Petar Petkoviç, ka drejtuar një letër - apel misioneve ndërkombëtare në Kosovë që me rastin e festës së Pashkëve, “kur festohet festa më e madhe ortodokse të kenë kujdes për siguri në mjediset serbe”, shkruan “Kosovo-online” transmeton “Bota Sot”.
Ky apel është i ngjashëm me apelin e lëshuar ditë më parë nga peshkopi Jeankije që ka kërkuar mbrojtje të objekteve të shenjta ortodokse.
Në kumtesën e lëshuar për medie, Petkoviç thotë se nga këto misione pret “të veprojnë në parandalimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate nga kompetencat e tyre për mbrojtjen e objekteve të Kishë ortodokse dhe besimtarëve gjatë festës së Pashkëve”.
"Gjatë festave që po vijnë, të enjten e madhe, të premten e madhe, të shtunën dhe ditën e pashkëve të dielën besimtarët ortodoks tradicionalisht shkojnë në objekteve e kultit në mjediset e tyre. Konsiderojmë se është e domosdoshme që gjatë festës së madhe dhe ditët që i paraprijnë në mjediset serbe të kushtohet kujdes dhe të rritet siguria për mbrojtjen e banorëve serbë dhe objekteve”, thuhet në letrën e Petkoviç drejtuar misioneve UNMIK, EULEX, OSBE dhe zyrës së BE-së në Kosovë.
Nga zyra e ashtuquajtur e Kosovës thuhet edhe se Petkoviç në letrën apel ka nënvizuar shqetësimin për shkak të sulmeve të vazhdueshme në objekte edhe banorët serbë në periudhën e shkuar.
Pikërisht për këtë sipas tij, “është e domosdoshme ndërmarrja e masave parandaluese në mbrojtjen e tyre”.