Demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka kohë që është kryer, mirëpo në Kosovë, shumëkush, vazhdon të mos pajtohet me atë që është nënshkruar dhe ratifikuar në kuvendet e dy vendeve.
Ekspertë dhe parti politike ngulin këmbë se Kosovës i janë marrë mbi 8000 hektarë tokë, për çka qeveritë e dy vendeve janë pajtuar që në të ardhmen ta rishikojnë këtë.
E Mali i Zi ka problem me demarkim të kufirit edhe me Kroacinë. Të paktën kështu pretendojnë në Qeverinë e Malit të Zi, ndonëse marrëveshja është firmosur më 2002.
Problemi qëndron me demarkim të vijës detare dhe tokësore. Sipas marrëveshjes, gadishulli i Prevlakës i takon Kroacisë, shkruan “b92” të mërkurën.
Kroacia ngul këmbë se nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi gadishulli i Prevlakës i takon asaj, kurse për vijën detare ka për çka të flitet.
Çështjen e demarkimit, së fundi e ka hapur kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq. Gjatë kësaj jave, në Mal të Zi do të qëndrojë ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman dhe nuk dihet nëse demarkimi i kufirit do të jetë një prej temave.
Zanafilla e problemit të demarkacionit daton nga viti 2002, kur, pas largimit të forcave të UNMOP-it, misionit vëzhgues në Prevlakë, të dy vendet nënshkruan një protokoll të përkohshëm, e i cili është ende në fuqi.
Krivokapiq është i pakënaqur me protokollin, pasi sipas asaj që është nënshkruar, kufiri tokësor është çështje e zgjidhur de facto, ndërsa ai detar duhet të diskutohet.
"Kjo është mosmarrëveshja dhe arsyeja kryesore pse përpjekjet e mëparshme të demarkacionit përfundimtar kanë dështuar", ka thënë Krivokapiq.