Festa e “Fitër Bajramit”, qindra të burgosur i gjeti prapa grilave të burgut në Smrekonicë të Mitrovicës.
Mbi 100 të burgosur ditën e Fiter Bajramit e pritën në burgun e sigurisë së ulët në Smrekonicë, që si i tillë, është i vetmi në vend.
Njëri nga ta është Ahmed Goxhuli të cilit i kanë mbetur edhe 4 vjet prapa grilave.
Goxhuli, brenda hapësirës që vuan dënimin praktikon edhe ritet fetare.
Ndërsa ushqimet për festën e Bajramit thotë t’i ketë blerë me paratë që i fiton nga puna si elektricist.
“Këu gjëra të bajramit nuk përgatisim shumë, veç kshtu që blejmë nëpër kantinë, ëmbëlsira e pije. Festojmë nëpër dhoma. E kështu nuk gatuajm.”- tha Ahmed Goxhuli, i burgosur.
Ahmedi shpreson që pas lirimit t’i kthehet punës së vjetër si punëtor ndërtimi.
Ndërsa një tjetër i dënuar thotë se pritja e bajramit larg familjarëve nuk është e lehtë.
“Gjatë festës së bajramit presim vizita, dhe e festojmë në kushte burgu, se sado që është burg I hapur, prap është burg.”
Të tjerë, thonë se kanë pak ditë në dispozicion për t’i vizituar familjarët.
“Në drejtim për të burgosurit nuk punohet aspak. Janë goxha do të meta. I kemi pasë 21 ditë vikend, tash I kemi 7 të jashtëzakonshme dhe 7 të rregullta. Paneli për lirim me kusht nuk punon”
Megjithatë, zëvendësdrejtori i burgut, thotë se këto ditë të vikendit, kompensohen me vizitat e familjarëve.
“I kanë deri në 8 vizita të lejuara gjatë muajit, dhe kanë që lejohen 2 familjarë të rritur, fëmija deri në 3. Kanë vizita të mjaftueshme. Po ashtu edhe për festa, kanë vizita siç është kjo e bajramit.”- u deklarua Muharrem Bajrami,ZV.Drejtor i Burgut.
Për sigurinë në burg flasin gardianët, të cilët thonë se brenda dy vjetëve nuk ka pasur asnjë të ikur.
“Sjelljet janë fenomenale të të burgosurve duke e ditur që janë në përfundim të dënimit. Por sa i përket të dënuarve secili i ka sjelljet më të mira.”- tha Nexhmedin Syla, mbikëqyrës operator.
Thuajse të gjithë të burgosurit shprehen të penduar për veprat e tyre, andaj shpresojnë që pas lirimit, t’i kthehen normalitetit dhe të mund të ndihmojnë familjet e tyre.