Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Komunën e Medvegjës e ka vizituar gjatë ditës së sotme Sonja Biserko (Kryetare e Komitetit te Helsinkut për të Drejtat e Njeriut), Izabela Kisic (Drejtoreshë ekzekutive), Jelena Krstic (Drejtoreshë e programit), ku janë pritur nga kryetarja e KKSH-së në Medvegj Lirona Zuka.
Vizita kishte për synim marrjen e përshtypjeve të njerëzve që jetojnë në Medvegjë, me qëllim të hartimit të një raporti sa më të detajuar mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si edhe sugjerimeve për ndryshim të gjendjes dhe përmirësim të pozitës së shqiptarëve.
Temë kryesore padyshim ishte pasivizimi i adresave te shqiptarëve në këtë komunë, i cili po ndodhë në mënyrë perfide dhe pa të drejtë.
"Ofruam dëshmitë e mbledhura nga zyra jonë në Medvegjë, dëshmi këto që do të jenë edhe në raportin e dalur nga Komiteti i Helsinkut, rezultate të të cilit raport më pas do te paraqiten para publikut të gjerë si dhe institucioneve Përgjegjëse në Serbi, Kosovë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare", tha Lirona Zuka.
Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar, vazhdimisht po dëshmohet si institucion kyç në Medvegjë në mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në këtë komunë.