Borrell: Darka tradicionale me Ballkanin Perëndimor na shërben të diskutojmë hapur sfidat

Lajme

Borrell: Darka tradicionale me Ballkanin Perëndimor na shërben të diskutojmë hapur sfidat

Më: 19 maj 2021 Në ora: 10:40
Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme Siguri, Josep Borrell, për darkën e shtruar mbrëmë për udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se ka shërbyer për të folur haptas për sfidat e vërteta që ka rajoni.

Ai ka thënë se kjo darkë është një traditë e rregullt joformale për të shkëmbyer çështjet e rajonit me përfaqësuesit e rajonit dhe se këtë traditë do ta ringjallë.

“Ne duhet të hedhim një vështrim në peizazhin e gjerë politik të rajonit. Jo vetëm nga pikëpamja e aderimit, e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por nga qasja gjeopolitike e gjithë rajonit”.
Borrell ka thënë se një takim të ngjashëm me ministrat e Jashtëm të BE-së patën edhe javën e kaluar, por për dallim prej atij të së hënës, ai ishte zyrtar.

“Ne e konsideruam Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e Bashkimit Europian dhe ranë dakord për të rritur angazhimin ndaj rajonit. Kjo është diçka që për këdo që e kupton dinamikën e rajonit është e padiskutueshme, por ne duhet ta bëjmë atë më të theksueshme. Dhe sot në këtë darkë me gjashtë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta bëjmë më të dukshëm”.

Borrell ka shtuar se qëllimi kryesor i BE-së është që të kontaktojnë partnerët rajonalë për të dëgjuar pikëpamjet e tyre, të kuptojnë shqetësimet e tyre, të kuptojnë idetë e tyre dhe të reflektojnë së bashku se si mund të punohet më mirë së bashku për të ardhmen e përbashkët.

“Shpresoj që ky shkëmbim të na ndihmojë të kuptojmë më mirë dinamikën e rajonit dhe – siç thashë – se si mund të punojmë së bashku për të trajtuar këto sfida më të gjera gjeopolitike me të cilat ato përballen sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat