​“InstaBuilt” nis shtëpi modulare edhe për në Gjermani, ftohet të ndërtojë lagjen model në Mengen

Lajme

​“InstaBuilt” nis shtëpi modulare edhe për në Gjermani, ftohet të ndërtojë lagjen model në Mengen

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 14:45
Foto nga vendi i ngjarjes

Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kompania “BP Home Invest” së bashku me fabrikën “InstaBuilt” ka nisur eksportin e shtëpive modulare edhe në Gjermani.

Qyteti i Mengenit do të jetë i pari ku do të vendosen shtëpitë e prodhuara në Kosovë. Ndërsa fabrika “InstaBuilt” po synon që nga 1 mijë shtëpi modulare sa prodhon në vit, të prodhojë katërfishin e tyre deri në vitin 2023.

Krejt kjo u bë e ditur në një konferencë për media, me rastin e vizitës së kryetarit të Mengen-it, Stefan Bubeck në Kosovë, ku u fol për eksportin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët ekonomik mes kompanive të Kosovës dhe Gjermanisë.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ambasadori gjerman, Joern Rohde, i cili tha se ky bashkëpunim është fitimprurës për të dyja palët, pasi Kosova ka fuqi punëtore të re ndërsa Gjermania tregun e nevojshëm.

Rohde tha se “InstaBuilt” është një fabrikë model, dhe si e tillë, me produktet e saj, do të arrijë të depërtojë në gjithë Gjermaninë.

Duke thënë se Gjermania është donatori i më i madh, ambasadori shtoi se vendi i tij është njëherësh partneri më i madh për eksport i Kosovës.

Rohde: Na nevojitet që Kosova të eksportojë sa më shumë drejt tregut tonë

“Gjermania është donatori, investitori dhe partneri më i madh për eksport i Kosovës, duke pasur edhe një diasporë prej gjysmë milion të kosovarëve në Gjermani. Shpresoj se me hyrjen tuaj me sukses në tregun gjerman, sidomos nëse arrini të depërtoni në gjithë Gjermaninë, por edhe në Evropë. Dhe, qasjen të cilën e përdore ‘InstaBuilt’, për mua është një model shumë i suksesshëm sepse Kosova e ka fuqinë punëtore të re, me të cilën mund të prodhojë, ndërsa Gjermania e ka tregun e nevojshëm. Dhe, kjo krijon një situatë ku përfituese janë të dyja palët. Dëshiroj t’ju uroj suksese në ndërtimin e një partneriteti ndërshtetëror tregtar sepse kjo është fitimprurëse për të dy palët, neve na nevojiten partnerët dhe na nevojitet që Kosova të eksportojë sa më shumë drejt tregut tonë”, tha ai.

Kryetari i Mengenit, Stefan Bubeck, në qytetin e të cilit do të eksportohet shtëpia e parë modulare, tha se do t’i mundësojë fabrikës “InstaBuilt” që të ndërtojë një lagje model brenda një zone të qytetit.

Bubeck: Unë mund t’iu mundësoj të ndërtoni një lagje model brenda një zone

“Jam shumë i lumtur që përkundër rrethanave, kemi arritur të organizojmë vizitën tonë. Dhe, siç tha z. Kica, këtu gjendet një shtëpi, e cila do të rrugëtojë drejt Mengenit dhe shpresoj shumë që do të realizohen bashkëpunime në ditët, javët apo muajt në vijim. Shpresoj që atë që keni ndërtuar ju, me punëtorë shumë të përkushtuar, t'iu mundësojmë që, në fillim me shtëpitë që do të sillni në Mengen, të zgjeroheni edhe përtej kësaj pjese të Gjermanisë. Dhe, atë që mund t'u ofroj unë personalisht, është që t'iu mundësoj të ndërtoni një lagje model brenda një zone, do të ishte shumë mirë që ju të merrni pjesë edhe në garën tenderuese, e cila do të shpallet dhe potencialisht të fitoni mundësinë të jeni pjesë e këtij projekti madhështor. Nëse kemi dokumente konkrete me vete, të cilat mund t'i analizojmë së bashku më vonë”, tha ai.

Kurse drejtori i kompanisë “BP Home Invest” dhe i fabrikës “InstaBuilt”, Diedon Kica, tha se përmes eksportit të shtëpive modulare në Mengen të Gjermanisë, po ndërtojnë urën e bashkëpunimit në patundshmëri.

Përmes teknologjisë, Kica tha se do të ndërtojnë shtëpi dhe lagje që ndërlidhen në mënyrë digjitale për të bashkëndarë energjitë e tyre përmes energjisë solare, e që do të shërbejnë për një jetë dhe mjedis më të mirë.

Kica: Po ndërtojmë urën e bashkëpunimit në patundshmëri

“Sot jemi mbledhur për të respektuar vizitën e delegacionit nga Gjermania, dhe për të ndërtuar një rrugë të re, urën e bashkëpunimit në patundshmëri. Të gjithë e dimë se një shtëpi nuk është një produkt i zakonshëm, është e shenjtë. Grupi jonë ‘BP Home Invest’ ka 20 vite që ndërton në këtë vend dhe kjo e ka sjellë në tregjet ndërkombëtare. Me këmbëngulje kemi qëndruar me 5 parime: integritet, inovacion, punë, punë dhe vetëm punë. Për këtë filozofi i jemi mirënjohës të gjithë ekipit tonë. Për këtë kemi ndërtuar fabrikën ‘InstaBuilt’, e cila ka një kapacitet prodhimi 1 mijë shtëpi në vit dhe deri në vitin 2023 mendojmë të shkojmë në 4 mijë shtëpi në vit. Mirëpo vizioni ynë nuk është të ndërtojmë shtëpi të zakonshme, por të ndërtojmë lagjet e së ardhmes dhe këtë po e bëjmë duke kombinuar tre gjëra: materialet, formën e ndërtimit dhe teknologjinë. Së bashku me partnerët tanë, t'i japim gaz motorit ekonomik dhe të ndihet zhurma deri në fund të botës”, tha Kica.

“BP Home Invest” ka dy dekada që operon në Kosovë, ndërsa në kuadër të saj është krijuar edhe fabrika “InstBuilt”, e cila synon që deri në vitin 2023 të prodhojë 4 mijë shtëpi modelare në vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat