"Kosova, Republika Serbe në Bosnjë dhe Mali i Zi janë qenësore për ne", ka thënë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, gjatë takimit me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
“Pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe është i qartë: kjo është shkëputje e paligjshme e një pjese të territorit dhe nuk ka asnjë mënyrë që dikush të imponojë një zgjidhje të tillë që ta pranojë shkëputjen e paligjshme”, ka thënë Kisha Ortodokse Serbe në një komunikatë pas takimit.
Edhe Ambasada Amerikane të shtunën njoftoi për takimin me liderët e kishës ortodokse, ndikimi i të cilëve në jetën politike të Serbisë është shumë i fuqishëm. Në Twitter nga ambasada u tha se në takim u diskutua për rëndësinë e dialogut dhe “sundimin e ligjit në mbrojtjen e pronave fetare në Kosovë”.
Deputy Assistant Secretary Palmer and EUSR @MiroslavLajcak met Friday with Serbian Orthodox Church Patriarch Porfirije and other Church leaders to underscore the importance of the dialogue process and rule of law in protecting religious properties in Kosovo. pic.twitter.com/QVLOJJgQ2w
— Američka ambasada (@USEmbassySerbia) June 5, 2021
Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, kanë vizituar e diskutuar edhe me udhëheqësit e lartë të Kishës Ortodokse Serbe, për çështjen e dialogut mes dy vendeve, pasi takuan liderët politikë të Serbisë.