Grupi parlamentar "Lugina e Bashkuar - SDA Sanxhak" ka dorëzuar në procedurë parlamentare në Kuvendin e Serbisë rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ai ka shkruar se është koha që Kuvendi i Serbisë të deklarohet për pranimin e gjenocidit të Srebrenicës, pas konfirmimit të vendimit përfundimtar për dënim me burgim të përjetshëm të ‘Kasapit të Bosnjës’, Ratko Mladiq.
Në këtë rezolutë propozohet që të dënohet ashpër gjenocidi në Srebrenicë dhe të dënohet mohimi i këtij gjenocidi.
“Po ashtu, data 11 korrik të shpallet Ditë e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Të gjykohet çfarëdo glorifikimi i krimeve të luftës dhe kriminelëve të dënuar. Të shprehet keqardhje për të gjitha viktimat e pafajshme të luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe familjet e tyre dhe ftohen të gjitha shtetet fqinje të vazhdojnë të sigurojnë drejtësi dhe mbështetje të përhershme ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale. Të dëshmohet vendosmëria e shtetit të parandalojë gjenocidin dhe krimet tjera të rënda dhe konfirmon qëndrimet e dokumentit final të Samitit botëror të vitit 2005 për përgjegjësinë e mbrojtjes së popullësisë nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit”, thuhet ndër të tjerash në këtë rezolutë.
Tutje, rezoluta kërkon që të garantohet ratifikimi dhe implementimi i plotë i Konvetës mbi parandalimin dhe dënimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe krimit kundër njerëzimit.
“Të mbështeten përpjekjet për kryerjen e hetimeve dhe procesuimin e të gjithë të akuzuarve për gjenocid në Srebrenicë, ndërsa obligohet që do të shfrytëzohen të gjitha mjetet dhe mekanizmat të cilat ndodhen në dispozicion që të kryhen hetimet dhe të procesohen gjithë përgjegjësit. Të theksohet rëndësia përmbajtësore e pajtimit e cila është e bazuar në dialog, ballafaqim me të kaluarën dhe përkushtim për arritjen e drejtësisë dhe mbështetjen e viktimave, si bazë për të forcuar dhe siguruar stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Të obligohet shteti për zhvillimin e programeve edukative përmes të cilave gjeneratave të ardhshme do t’ia rikujtojnë cilat janë leksionet e nxjerra nga gjenocidet e kaluara, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit me qëllim të mospërsëritjes së tyre. Të vërtetohet rëndësia e leksionit mbi mossuksesin që të parandalohej gjenocidi në Srebrenicë, siç është përmendur në Raportin e Sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara në përputhje me rezolutën Asamblesë së përgjithshme 53/35 dhe vendosë që me kohë dhe në mënyrë efikase të veprohet në parandalimin e përsëritjes së tragjedive të këtij lloji dhe për këtë qëllim të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion. Të merret qëndrim që shkelja e të drejtave të njeriut dhe pakicave mund të jenë tregues të hershëm të mundësisë së gjenocidit dhe në këtë aspekt obligohet ky Kuvend të aprovojë ligjet dhe akte të tjera obligative të cilat padyshim do të garantojnë mbrojtjen dhe realizimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe do të siguroj pakicave kushte për realizimin e të drejtës për ekzistencë politike, barazi dhe dinjitet”, thuhet në përfundim të kësaj rezolute.
Kujtojmë se ish-gjenerali serb, Ratko Mladiq, u dënua me burgim të përjetshëm edhe nga instanca e fundit dje. Tribunali i OKB për krimet e luftës në Hagë e vlerësoi si të drejtë dënimin ndaj tij.