Policia e Malit të Zi ka gjetur një trup pa jetë në Lumin Buna, në kufi me Shqipërinë të martën në mbrëmje dhe e ka identifikuar të mërkurën si ish-shefin e antidrogës dhe oficerin e lartë të policisë Rudolf Elezoviq.
“Autopsia e bërë vërtetoi se trupi i pajetë është i oficerit policor Elezoviq dhe Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë po punon për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e drejtorisë policore.
Rudolf Elezoviq ishte ish-shef i antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin dhe u shpall i humbur me 27 maj. Ai mësohet se kohëve të fundit ka punuar në sektorin e anti-trafikut në Policinë Kufitare të Malit të Zi dhe se ka hetuar trafikun dhe goditjen ndaj trafikantëve në të dyja anët e kufirit në bazë të marrëveshjes dypalëshe.
Autoritetet malazeze kanë nisur menjëherë hetimet duke kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje edhe nga autoritetet shqiptare.
Deri më tani mbetet enigmë shkaqet e vdekjes së 54 vjeçarit Elezoviq, i cili për gati dy dekada punoi në policinë malazeze./VOA