Në Han të Elezit, komunë në kufi me Maqedoninë e Veriut, janë bërë pothuajse të zakonshme kolonat që shkaktojnë maunet.
E transportimi i mallrave ndërmjet dy vendeve po u shkakton telashe banorëve të këtushëm. Ata janë shprehur se u bie të presin me orë të tëra, sidomos muajin e fundit kur problemi sipas tyre është përkeqësuar.
Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga nivelit qendror të ndërtohet një rrugë alternative për banorët.
Ndërsa zyrtarët e Doganës së Kosovës nga ana tjetër, për kolonat po e fajësojnë palën maqedonase.
Media ka kontaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës rreth këtij problemi, por edhe pas një jave pritjeje ata nuk janë përgjigjur. E nëse ky hall nuk zgjidhet së shpejti vetë kryetari Suma është zotuar se do të jetë në krye të protestave me qytetarët.