Një numër i madh i trupave të KFOR-it britanik, raportojnë mediat serbe, kanë shkuar me makina civile për t’i pyetur qytetarët serbë për manastirin e Deçanit.
Sipas “Novostit” trupat e KFOR-it britanik pyetën qytetarët nëse do të ishte më mirë që Policia e Kosovës të siguronte manastirin në vend të KFOR-it pas kontestimit të shtrimit të një rruge përreth manastirit.
Qytetarët serbë i thanë trupave të KFOR-it se kjo vizitë e tyre i brengoste meqë Manastiri ishte shumë i rëndësishëm duke e cilësuar edhe “provokim”.
Ata kishin shtuar se KFOR-i e dinte që qytetarët nuk i besonin Policisë së Kosovës.
“Ata e dinë shumë mirë se ne nuk kemi besim në Policinë e Kosovës, dhe për këtë gjë arsyet janë të shumta. Përveç vjedhjeve të shumta që nuk janë zënë dhe sulmeve të shqiptarëve në pasurinë tonë, policia e Kosovës nuk ka zgjidhur rastin e vrasjes të fëmijëve në gusht 2003 në lumin Bistrica…”
“Ishte e qartë se kjo vizitë ishte provokim dhe vetëm konfirmoi se nuk duhet t’i besojmë as anëtarëve të caktuar të KFOR-it,” thanë ata pas asaj vizite.