Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq deklaroi se roli i Milena Popoviq, gruas së ve të politikanit të vrarë, Oliver Ivanoviq, është që ta mbrojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga hetimi për vrasje.
“Ajo nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta sjellë Vuçiqin më afër hetimit. Ajo nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e Vuçiqit”, i tha Trajkoviq gazetës serbe, Danas.
Duke komentuar deklaratën e Milena Popoviq, e cila është gjithashtu anëtare e Partisë Progresive Serbe në Parlamentin Serb, se nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Milan Radoiçiq duhet ta provojë pafajësinë e tij në vrasjen e Ivanoviqit, Trajkoviq tha se Popoviq ishte “në funksion të lirimit të Radoiçiqit dhe biznesmenit serb nga Kosova, Zvonko Veselinoviq”.
Trajkoviq deklaroi se roli i “Beogradit zyrtar” ishte “shumë i madh që nga dita e vrasjes” dhe shtoi se media pranë autoriteteve bëri gjithçka “për të devijuar hetimin në një drejtim tjetër”.
Milena Popoviq, gruaja e ve e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, deklaroi se ajo e respekton presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe partinë që i përket. Ajo tha se e lëshoi sallën e Kuvendit serb vetëm sepse Radoiçiq ishte i pranishëm aty.
“Ajo që unë e di është më se e mjaftueshme për të mos u ulur në të njëjtën dhomë me të. Do ta përfundoj me kaq”, tha Popoviq për Nedeljnik.
Lidhur me deklaratën e Trajkoviq, se ajo nuk do ta kishte bërë atë veprim pa u konsultuar me Vuçiqin, ajo tha se nuk është e vërtetë.
“Ne biseduam pas kësaj. Unë kam të drejtën e pozitës dhe mendimit tim dhe ai e respekton atë. Unë jam një grua e ve. E bëra ashtu siç u ndjeva në atë kohë”, tha Popoviq.
“Unë do t’i kërkoja asaj që ta ndalonte mbledhjen e poenace politikë përmes meje dhe në atë mënyrë të kthehej në skenën politike. Ajo është personi i fundit në botë që ka të drejtë ta bëjë këtë. Ajo e di shumë mirë pse”, tha Popoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, Popoviq tha se ajo i njeh Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin për 20 vjet.
“Unë i njoh prej 20 vitesh. Mitrovica është një qytet i vogël dhe të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Mendoj se pas gjestit tim të fundit, për të gjithë është e qartë se çfarë mendoj për Radoiçiqin”, tha Popoviq.
Siç deklaroi ajo, ajo mbetet në Partinë Progresive Serbe dhe gjesti i saj nuk e ndryshoi orientimin e saj politik.