Në prag të takimit në nivelin e lartë mes Vuçiq dhe Kurtit, mediet në Beograd kanë komentuar qëndrimet që do ketë Prishtina në takimin e 19 korrikut në Bruksel, ku do insistohet në kapitull të ri të dialogut , në çështjen e të pagjeturve dhe 4 propozimet e Kurtit, shkruan “Telegraf” transmeton “Bota Sot”.
Çështja e parë në të cilën do të insistohet do të jetë ajo e të pagjeturve, këtë e ka konfirmuar sipas gazetës edhe zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu.
Sipas tij kjo çështje mbetet prioritet edhe urgjente, “Presim që krahas çështjes së të pagjeturve të diskutohen edhe 4 propozimet e Kurtit nga takimi i shkuar” citohet të ketë deklaruar Kryeziu.
“Telegraf” shkruan se në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë secila palë do ketë propozimet e veta, ndërkohë që pala serbe tashmë ka kohë që insiston në çështjen e formimit të asociacionit të komunave, bazuar në marrëveshjen e Brukselit.
Lidhur me këtë qëndrimi i Prishtinës dhe kryeministrit Kurti është se “Kushtetuta e Kosovës pamundëson formimin e shoqatave në baza etnike”, gjë që të cilën e ka përsëritur në disa deklarata.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka paralajmëruar se me 19 korrik përfaqësuesi i lartë i BE-së Borel do të jetë nikoqir i takimit në nivelin e lartë mes Vuçiq edhe Kurti, që do jetë raund i ri i dialogut politik me mbështetjen e të dërguarit special për dialog Lajçak.
Sipas selisë së BE-së, ky takim do të fokusohet në përparimin e arritur deri më tani dhe hapat e mëtutjeshëm në procesin e dialogut, që vlerësohet i rëndësishëm për sigurinë dhe perspektivën evropiane si të Serbisë, po ashtu edhe për Kosovën.