Deputetja e Kuvendit të Serbisë Milena Popoviç, ish-bashkëshortja pa kurorë e Oliver Ivanoviqit, ka deklaruar sot se megjithatë do të ftohet dëshmitare në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e burrit të saj Oliver Ivanoviq, transmeton “Bota Sot”.
Popoviç për “Beta” theksoi se avokatët e saj po përcjellin gjykimin në Prishtinë dhe e kanë njoftuar se gjendet në listën e dëshmitarëve në procesin kundër të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit.
“Po ashtu, pasi ndër të dëmtuarit janë vetëm Marina, ish-gruaja e Oliverit dhe djali i madh i tij Nikolla, avokatët më kanë sugjeruar që të shkruaj kërkesën që në mes të dëmtuarve të jetë edhe djali im Bogdani, sepse ka të drejtë ligjore dhe do ta bëjë këtë”, tha ajo.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me 6 korrik nisi gjykimi për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” Oliver Ivanoviqit.
Sipas padisë së Prokurorisë Speciale të Kosovës për vrasjen e Ivanoviqit akuzohen 6 persona: Marko Roshiç, Nedeljko Spasojeviç, Rade Basara, Silvana Arsoviç, Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç.
Siç dihet Ivanoviq u vra me 16 janar 2018 me disa plumba në shpinë, derisa po hynte në lokalet e partisë së tij në veri të Mitrovicës.