(E plotësuar 18:50) - Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, avokatët kanë shprehur shqetësimin e tyre, për siç thanë ata, vonesat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në përgatitjet për gjykim.
Madje, mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se klienti i tij arsyeshëm po mendon që po mbahet peng.
Emmerson: Kadri Veseli mendon se po mbahet peng
“Shqetësimi është për mënyrën se si prokuroria po vepron në këto procedon. Unë desha të them në emër të zotit Veseli që sidomos nën dritën e vendimit tuaj të fundit i nderuari gjykatës që nuk e keni dhënë liri të përkohshme, ai mendon, në mënyrë të arsyeshme, që ai po mbahet peng, ndërkohë që prokuroria po vazhdon të vonojë procesin e përgatitjes për gjykim”, ka thënë avokati i Veselit.
Ndërkohë prokurorja e rastit, Clarie Lawson ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se prokuroria i ka përmbushur detyrat e veta në mënyrë shumë të shpejtë duke ju përmbajtur afateve që i janë dhënë.
E këto i ka quajtur gjepura avokati Emmerson.
Emmerson: Prokuroria nuk po i përmbahet afateve
“Kjo e fundit që tha prokurorja, janë të gjitha gjepura, ata thonë që ndoshta mund të jenë gati për gjykim, fakti është se ata po flasin për një gjykim që nuk mund të fillojë deri në fund të 2021 dhe ata nuk janë përmbajtur afateve, unë mund të dëgjoj këtu parashtrimet e bëra që janë të përshtatshme e të vërteta, por ky parashtrim këtu nuk është njëri prej tyre”, ka thënë ai.
Për këtë ka folur edhe avokati i ish-presidentit Thaçi, Luka Misetiq, i cili tha se nuk mund të angazhohen në dorëzimin e dosjes paraprake derisa prokuroria nuk u nxjerrë materialet dhe shtynë afatet.
Misetiq: Nuk jemi gati për gjykim sepse ZPS nuk i ka nxjerr të gjitha materialet
“Ne nuk jemi gati për gjykim sepse ZPS nuk na i ka nxjerr materialet të gjitha, ne kërkojmë që të jepen materialet e rregullës 95/4 brenda tetorit dhe për këtë ruajmë rezerva, sepse ende nuk jemi të sigurt nëse do të përmbushen këto afate apo jo. Në këto rrethana ne nuk jemi të gatshëm të angazhohemi sa i përket një dosje paraprake”, tha ai.
Këto qëndrime i kanë përkrahur edhe avokatët e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 kur u bënë publike konfirmimet për aktakuzat ndaj tyre, nën pretendimin për kryerjen e krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit.
Ish-krerët e UCK-së në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara u deklaruan të pafajshëm për të gjitha aktakuzat të cilat i ngarkojnë.
Konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj tyre do të mbahet më 13 ose 14 shtator, siç propozoi gjyqtari i procedurës paraprake i cili u mbështet edhe nga prokuroria dhe avokatët.
Emmerson kërkon lirimin e menjëhershëm të Kadri Veselit
Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se Prokuroria nuk ka prova kundër klientit të tij.
Këto deklarime ai i bëri në seancën e sotme paragjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë tha se Prokuroria e ka pranuar se nuk ka prova kundër klientit të tij.
Emmerson tha se Prokuroria e kishte thënë këtë hapur.
“Prokuroria kanë thënë hapur se nuk ka prova kundër tij as për kryerje fizike të krimeve, as për bashkëkryerje, as për ndihmë dhe inkurajim, apo marrje pjesë në ndonjë mënyrë tjetër në këto krime”.
Avokati britanik theksoi se Kadri Veseli do të duhej të lirohej menjëherë me një vendim për shpalljen e tij si i pafajshëm.
“Do të ishte e drejtë që Z. Veseli të tkhehej në shtëpi menjëherë dhe të jepej vendimi për pafajësinë e tij”.
Menjëherë pasoi reagimi i prokurores.
Ajo tha se avokati i Veselit nuk po flet gjëra të sakta, ndërsa evotoi t’i kundërpërgjigjej atij direkt për çështjen e lirimit.
“Deklaratat e bëra nga Z. Emmerson qartësisht nuk janë të sakta”.
Prokurorja theksoi se mbrojtja po mundohet ta paraqes Prokurorinë si jo të gatshme për fillimin e procesit të gjykimit.
Kadri Veseli me një kërkesë: Dokumentet të jepen në gjuhën shqipe
Është duke u zhvilluar seanca e radhës gjyqësore në drejtim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë kësaj seance, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Nick Kaufman ka parashtruar në mënyrë verbale një kërkesë sa i përket përkthimit të dokumenteve.
“Zoti Veseli insiston se meqë Gjykata është e Kosovës, kërkon që çdo dokument t’i jepet në gjuhën shqipe”, tha avokati, ndërkohë që gjykatësi i procedurës paraprake tha se rregulla të përkthimit janë përcaktuar më herët dhe kërkoi nga mbrojtja që për këtë gjë të bëjë një kërkesë me shkrim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së dyshohet të kenë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Përgjatë seancës së sotme, trupa mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar në kuadër të Speciales në Hagë janë shprehur të shqetësuar me qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me qëndrimet e tyre se ende nuk ka një datë të përcaktuar se kur pritet të nis gjyqi ndaj tyre.
Sipas tyre, në nëntor të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte kërkuar që gjyqi të nis këtë muaj, por tashmë asgjë nuk është gati.
Duhet përkujtuar që ditë më parë pati edhe një konferencë gjyqësore lidhur me zhvillueshmërinë e seancave në kuadër të ish-drejtuesve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
***
Avokati i Veselit kritikon ashpër Prokurorinë Speciale
Avokati mbrojtës i Kadri veselit, Nick Kaufman, ka kritikuar punën e Zyrës së Prokurorit Special pranë Dhomave të Specializuara, rreth dorëzimit të materialeve.
Në seancën që po mbahet tani, Kaufman tha se prokuroria nuk po punon aspak zellshëm.
“Nuk është një mënyrë e zellshme e punës së prokurorisë. Nëse nuk është gjykatësi për t’iu kërkuar dorëzimin, ata vetë nuk bëjnë asgjë”, tha ai.
“Nuk është kjo një mënyrë e zellshme e kryerjes së punës nga ZPS, kjo është mënyrë nga paniku. Zonja Losson paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente, por s’e ka përmendur faktin që këto i ka dërguar më 30 qershor. Unë them që kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në në kohë. Ndryshimet e afateve nuk janë të drejta“, deklaroi Kaufman.
Avokati i Thaçit i kërkon listë Prokurorisë: Cilët dëshmitarë do t’i thërrasësh në gjyq?
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të paraqes një listë me dëshmitarët të cilët do t’i thërras në gjykim.
Ai ka thënë se në këtë çështje ka edhe situata dhe dëshmi në procese jashtë këtij institucioni, të cilat nuk dihet se a do paraqiten në gjyq apo do të përdoren vetëm si prova.
“Ne duam që të marrim konfirmim nga prokuroria për atë se cilët dëshmitarë do t’i thërrasë në gjykim apo jo. Në këtë çështje ka situata ka dëshmi dhe transkripte në procese jashtë këtij institucioni. Nuk dihet nëse këta janë dëshmitarë që prokuroria dëshiron t’i thërrasë apo deklaratat e tyre t’i përdorë si prova. Do të donim që të dinim nëse këta dëshmitarë do të thirren nga Prokuroria në sallë apo jo. Ne kemi vendojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona dhe propozoj që Prokuroria të përgatis një listë brenda datës 2 gusht”, tha Misetiq.
Mirëpo kjo u kundërshtua nga Prokurorja e Specializuar. Kjo e fundit tha se mbrojtja e ka nxjerrë nga konteksti rregullativën dhe precedentët e mëhershëm.
“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është një element të cilin mbrojtja duket se e ka marrë është një çështje e paraqitur para Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Nuk jemi në këto rrethana. Kjo ka ndodhur në rrethana ku objekti i aktakuzës ishte i ngushtuar shumë. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë. Mbrojtja do ta marrë të gjithë materialin që ne do ta përdorim në këtë çështje. Janë përmendur qindra dëshmitarë të mundshëm, por kjo nuk ka ndodhur në rastin tonë. Kjo kërkesë është jashtë kontekstit”, tha ajo.
Menjëherë pas kësaj, reagoi avokati Misetiq. Ai tha se deri në momentin që ZPS të jap një arsye të fortë se pse nuk mund ta jap listën, ajo do të kërkohet nga mbrojtja.
“Nuk shoh asnjë arsye se pse ZPS e ka pasur vështirë ta bëj këtë. Ata nuk na thanë se cfarë dëshmitarësh duan të marrin në gjykatë. Nuk është se lista që do ta paraqesin është përfundimtare dhe s’mund të ndryshojnë. Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por që nuk tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë. Derisa të na japin arsye të fortë se pse nuk mund të na e japin, ne do ta kërkojmë këtë listë”, ka thënë Misetiq në fund.
***
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se janë në përgatitje e sipër për ecurinë e çështjes së gjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në prezantimin e sotëm në seancën e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u tha se janë nxjerrë thuajse dhjetë pako me materiale shtesë që kanë të bëjnë kryesisht me deklarime të dëshmitarëve.
Gjithashtu sa i takon raporteve të ekspertëve, u potencua se numri i tyre është tre por që akoma nuk është përcaktuar ndonjë datë për nisjen e gjyqit.
”Pas konferencës së fundit mbi ecurinë e çështjes, 10 paketat me materiale, janë nxjerrë. Gjithashtu janë dorëzuar edhe dy kërkesa shtesë për masa mbrojtëse për datën 27 qershor dhe 28 përkatësisht”.
”Pjesa e madhe e këtyre paketave ka të bëjnë me deklarata të mëparshme, që ndërlidhen me provat materiale, që janë përmendur edhe në parashtrimin në emër të mbrojtjes së Thaçit”.
”Ka pasur një kërkesë shtesë, për masa mbrojtëse. Kjo ka të bëjë kryesisht me provat materiale të ndërlidhura mbi dëshmitarët e raporteve lidhur me masat mbrojtëse”.
”Janë pesë dëshmitarë ndërkombëtarë, për të cilët ende nuk janë marrë miratimet. Krahas kësaj ka edhe një numër të vogël materialesh, sa i përket dorëzimit të tyre kjo është jashtë kontrollit tonë”.
”Sa i takon raporteve të ekspertëve, numri i tyre është tre, dhe ka të bëjë me materiale kriminalistike, siç kemi të bëjmë me parashtrimin tonë, ndërkohë që materiali faktik bazë për të cilën do të bëhen këto aktekspertiza është duke u nxjerrë brenda afatit këto javë”.
Avokati i Thaçit çuditet me Prokurorinë: Kërkonin që gjykimi të niste këtë muaj, ende s’janë përgatitur vetë
Luka Misetic, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i habitur se si Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është ende gati për t’i kryer përgatitjet e nevojshme përpara gjykimit.
Në seancën e sotme paragjyqësore, avokati Misetic tha se Prokuroria kishte kërkuar që këtë muaj të niste gjykimi, ndërsa ende nuk janë gati.
“Ne duam të shprehim çudinë tonë që ende janë në përgatitje këto raporte ekspertësh. Në nëntor, ZPS-ja tha se nuk kishte asnjë arsye pse të mos fillonte gjyqi këtë muaj dhe tani po na thuhet që janë ende në përgatitje tri raporte ekspertësh dhe se nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar”, tha avokati kroato-amerikan.
Ai i kërkoi gjykatësit Nicolas Guillou ta përcaktojë një afat në mënyrë që Zyra e Prokurorit të Specializuar të kushtëzohet që t’i kryejë detyrat e saj më shpejt.
Nga ZPS-ja thanë se kanë “Janë afërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtarë, për të cilët nuk janë marrë ende miratimet”.
***
Mbrojtja i ka kërkuar ZPS-së që të veprojë në mënyrë të zellshme pasi sipas tyre kjo nuk është mënyrë e zellshme kryerjes së punës.
Sipas avokatit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ZPS nuk e ka përmendur që këto materiale u dorëzuan më 30 qershor.
“Gjuha e përdorur nga ZPS-ja është që t`i lë vetes mundësi që të shtyhet edhe më tej afati përfundimtar. Kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në tërë kohën”, tha ndër të tjera mbrotja.
Avokati i Thaçit dhe Veselit ka thënë që nuk ka justifikim shtyrja e afatit për dorëzimin e raportit të ekspertëve.
(E plotësuar 15:34) Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar gjatë seancës se janë dorëzuar dy kërkesa shtesë për masa mbrojtëse për dëshmitarët.
Sipas ZPS-së, pjesa më e madhe e paketave të kërkesave ka të bëj me deklaratat e mëparshme që lidhen me provat materiale.
Fillon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Ka filluar seanca ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Në seancë janë paraqitur nëpërmjet linjës online, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Po ashtu, i pranishëm është një avokat i viktimave.