Më 23 korrik u bënë 21 vjet nga vrasja e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manaj. Një vrasje e rëndë enigmatike për të cilën drejtësia vendore kurrë nuk arriti të jap përgjigje.
Gazeta “Bota sot” ditë më parë i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të ditur ecurinë e hetimeve lidhur me këtë rast, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Duket se Gjykata Speciale ka mbetur e vetmja shpresë për familjarët e Shaban Manajt, të cilët tash e sa vjet presin që të dinë se kush ua vrau më të dashurin e tyre.
Në mandatin e hetimeve të kësaj Gjykate janë edhe krimet e pas vitit 1999, pra deri në fund të vitit 2000. Këtu përfshihet edhe vrasja e veprimtarit Shaban Manajt e cila konsiderohet edhe si vrasje politike, duke qenë se Manaj ishte kandidat për kryetar të Komunës së Istogut nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett ka thënë se kjo zyrë nuk jep detaje të hetimeve të saj.
“Zyra e Prokurorit te Specializuar nuk jep detaje të hetimit të saj”, ka thënë Bennet për “Bota sot”.
Ndryshe, për motive politike, si Shaban Manaj janë vrarë edhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të LDK-së. Asnjëherë nuk pati përgjigje nga drejtësia vendore për këto vrasje.