Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se sot bashkë me disa nga deputetët kanë vizituar familjet e viktimave të tragjedisë së aksidentit të djeshëm.
“Me ta ndamë dhimbjen dhe treguam respektin e gatishmërinë tonë për të ju qëndruar afër në këto ditë të rënda për ta dhe gjithë bashkombasit tonë kudo që janë”, shkroi Kusari Lila.
Ajo tha se vizitat i filluan në, Pakashtice, komuna e Podujevës tek familja Rrustemi, për të ndjerin Sevdail Rrustemi i cili ishte në Gjermani me familjen e tij.
“Sevdaili është i vetmi që humbi jetën nga familja e tij në aksident, ndërsa të mbijetuar janë bashkëshortja dhe dy djemtë e tij. Vizitën pastaj e vazhduam në Lipovec, komuna e Gjakovës, tek familja Kolmekshaj për të ndjeren Leonora Kolmekshaj, e lindur në Junik dhe e martuar në Gjakovë. Leonora ishte bashkë me fëmijët e saj në kthim për Kosovë, të cilët fatmirësisht shpëtuan nga ky aksident”, theksoi ajo.
Po ashtu, deputetja e VV-së tha se familja Sylmetaj ka hapur të pame për djalin e tyre, Naser Sylmetaj, i cili ishte vozitësi i dytë në autobusin i cili u aksidentua. Naseri vdiq në vendin e tij të punës.
Po aq e rëndë, sipas Kusari-Lilës ishte vizita në fshatin Devë, komuna e Gjakovës në familjen Binakaj, për vajzën 19 vjeqe, Erlinda Binakaj dhe të ëmën Valentina Binakaj.
“I rëndë është çdo moment i kësaj dite e të rënda do të jenë ditët tjera për familjet e viktimave, të lënduarve dhe atyre që ishin dëshmitarë të kësaj tragjedie. Por, po aq e madhe ishte mbështetja e shtetit Kroat, e të gjithëve që reaguan shpejt dhe do të vazhdoj mbështetja e Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të vendit tonë.
Të angazhohemi që kurrë më mos të përsëriten situata dhe tragjedi ku humbin jetë të pafajshme”, përfundoi ajo.