“Minishengeni Ballkanik” – Këto janë tri marrëveshjet që u firmosën sot nga Rama, Zaev e Vuçiq

Lajme

“Minishengeni Ballkanik” – Këto janë tri marrëveshjet që u firmosën sot nga Rama, Zaev e Vuçiq

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 07:18

(E plotësuar 16:24) - Vuçiq thotë se e mbështet Ramën, ky i fundit ia përmend njohjen e Kosovës

Në Forumin ekonomik për bashkëpunim rajonal, presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se e mbështet çdo që gjë që thotë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa ky i fundit u pyet për besimin mes vendeve dhe rolin e Bashkimit Evropian. Ndërsa Rama i kujtoi çështjen për njohjen e Kosovës.

Vuçiq: E mbështes Edin qind për qind çka do që thotë

“Çka do që thotë Edi, unë qind për qind do e mbështes, çdo fjalë që ai thotë, tani po ua them këtë”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Edi Rama përmendi njohjen e Kosovës.

Rama: Në këtë forum do të nënshkruajmë marrëveshje për leje punë për qytetarët e shteteve tona

“Tani ai pret që të flas diçka për pranimin e Kosovës por ai nuk do e nënshkruajë kuptohet, por pyetja mu drejtua për shkak se supozoj se Marko është një ndërmjetësues i suksesshëm, në emër të komunitetit të biznesit në rajon, që të vendos të flas për Bashkimin Evropian, por dua të them këtë, ne sot do të nënshkruajmë marrëveshje për leje pune, ndoshta Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë një problem të vogël për shkak se duhet të bëjnë ndryshime në legjislacionin e tyre. Pse qytetarët e Bashkimit Evropian vinë në vendet tona dhe kanë leje të punës së menjëhershme ndërsa njerëzit nga rajoni jo”, tha Rama.

Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal është mbajtur sot në Shkup të Maqedonisë së veriut dhe tre liderët e kanë emëruar minishegenin ballkanik si “Open Ballkan”, ku u bënë thirrje edhe shteteve të tjera në rajon që të bashkohen.

Në kuadër të kësaj nisme, liderët e tri shteteve pritet të takohen sivjet edhe në Beograd e Tiranë.

Minishengeni i ri, liderët kërkojnë zgjerim me shtetet e tjera

Në konferencën e Forumit Ekonomik Rajonal të mbajtur në Shkup, kryeministri Shqipërisë, Edi Rama tha se përtej çështjes së hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, nisma rajonale e emëruar sot si “Open Ballkan”, i bënë të barabartë qytetarët dhe bizneset e të dyja shteteve.

Rama tha se shtetet e tjera të rajonit që nuk i janë bashkuar nismës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, mund ta bëjnë këtë dhe sipas tij bashkëpunimi është zgjidhja e duhur për të gjitha shtetet.

Rama: Nisma rajonale u thotë individëve dhe bizneseve se jeni të barabartë

“Përtej çështjes së hapur në mes të Serbisë dhe Kosovës, kjo nismë i thotë popujve dhe i thotë individëve dhe i thotë bizneseve që ju jeni të barabartë, përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe që është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Tani ky është një oportunitet kolosal, për të gjithë shoqëritë tona, ky është një potencial i madh dhe ne nuk kemi jo luksin që nuk e kemi, por nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar, nuk kemi të drejtë, nuk kemi të drejtë ti privojmë shoqëritë tona, vendet tona, nga rritja e drejtë ekonomike”, tha Rama.

Sipas Ramës me zbatimin e marrëveshjeve të kësaj nisme rajonale, nga vitit 2023 qytetarët e këtyre shteteve do të lirohen nga problem i pritjes së gjatë në kufi.

Rama: Në janar 2023 do të kemi zero sekonda pritje në kufi

“Ne në janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufi, të tjerët janë të mirëseardhur të vinë dhe të na bashkëngjiten, dhe nëse vinë askush nuk i pengon, dhe boll me këtë na ftuan, s’na ftuan, ishim në tiranë, të gjashtë vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan disa nuk duan, nuk ka problem, por ajo që thash aty e përsëris këtu, autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pa kërcënuar”, shtoi ai.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka folur edhe për kundërshtimin e Kosovë për minishengenin, ku ndër të tjera tha se “nëse është nënçmuese të nënshkruani Kosovë me yll, atëherë futeni Kosovë me një katror”.

Vuçiq: Nëse është nënçmuese të shkruani Kosovën me yll, atëherë bëjeni me katror

“Kur të jetë dikush i përgatitur të hyjë në këtë nismë atëherë mundet, nëse kërkohet ndonjë lehtësi nga Serbia e për juve është nënçmuese nëse nënshkruani Kosovë me yll atëherë futeni Kosovë me një katror, nuk është problem, sidoqoftë të bëjmë diçka që të bashkëpunojmë të arrijmë rezultate, mos kërkoni justifikime pse nuk ka bashkëpunim, pse ekonomia nuk po funksionon, mos kërkoni justifikim pse qytetarët nuk po jetojnë më mirë… Ne jemi të hapur për të gjithë, por nuk dua personalisht të përsëris për shkak se nuk kuptoj pse duhet të lusim dikë të marrë e të hajë, nuk dua me forcë të bëjë fëmijën tim të hajë, kur të jetë i uritur atëherë do të hajë.”, tha Vuçiq.

E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se janë të hapur për shtetet që po qëndrojnë jashtë kësaj nisme rajonale, që është Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Zaev: Mbesim të hapur për shtetet që duan t’i bashkohen nismës rajonale

“Mbesim të hapur, çdo njëri të zgjedh, nëse mendojnë që është mirë për qytetarët e tyre. Le të hyjnë në nismën, nëse jo mos të hyjnë, ne hapëm një sërë gjërash që do t’i bijnë benifite qytetarëve tanë, tre shteteve, ekonomike, bizneseve tona”, tha Zaev.

Në kuadër të kësaj nisme, liderët e tri shteteve pritet të takohen sivjet edhe në Beograd e Tiranë.

Tre liderët e kanë emëruar sot minishengenin ballkanik si “Open Ballkan”, në të cilën u bënë thirrje shteteve të tjera në rajon që të bashkohen.

***

“Ballkani i Hapur” kështu do të quhet bashkëpunimi mes tre vendeve të rajonit, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Kjo nismë do t’i japë mundësi vendeve bashkëpunuese në rajon për të hapur kufijtë me synim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimor.

Tre marrëveshjet e firmosura:

E para: Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.

E dyta: Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.

E treta: Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para të pranishmëve në “Forumin ekonomik” tha se janë në Shkup për të hapur rrugë për ekonomi të përbashkët dhe jetë më të mirë, por edhe për liri për qytetarët dhe bizneset e tre vendeve.

“Jemi këtu për të vendosur për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne nuk kemi probleme mes vete. Ne duam të rritemi së bashku. I pranuam ato që i propozoi Zorani dhe Edi. Edhe ata pranuan që propozova unë. Qytetarët tonë meritojnë shumë më mirë për të ardhmen dhe nuk ka gjë që na ndal. Nuk do ketë as kufinj për të na ndaluar. Me heqjen e kufinjëve ne do të ulim edhe harxhimet e kompanive për të punuar në rajon. Mundësitë janë më të mëdha se pengesat për të bashkëpunuar. Në të ardhmen ne duam të punojmë për të rritur GDP e vendeve tona e kjo do të thotë se shtetet tona do të jenë më të pasura dhe ndërmarrësit do të kenë buxhete më të mëdha për të punuar me rajonin dhe botën” tha Vuçiq.

Ai gjithashtu se në tetor pritet që ky forum të mbahet në Beograd kurse me propozim të Edi Ramës, i njejti forum do të mbahet në Tiranë.

“Ky takim nuk është kundër askujt por është për jetë më të mirë për qytetarët tonë” përfundoi Vuçiq.

***

 Miku im i dashur, i nderuar, kështu i drejtohet Vuçiq Ramës në Shkup

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama janë duke qëndruar në Shkup ku janë pritur në një vizitë dy ditore nga kreu i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bashkë me homologun nga Shqipëria Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq po marrin pjesë në Shkup, në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.

Para të pranishmëve në fillim ka folur Zaev, ndërsa pas tij e ka marrë fjalën presidenti serb.

Ajo që ka rënë në sy, ka qenë mënyra se si Vuçiq iu është referuar kryeministrit të Maqedonisë dhe atij të Shqipërisë.

Derisa Zaevit i ka thënë vetëm zyrtarisht, “i nderuar kryetar i Qeverisë”, Ramën, Vuciqi e ka quajtur mik të dashur e të nderuar.

“I nderuar kryetar i qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, miku im i dashur i nderuar, z.Rama, të nderuar mysafirë”, tha Vuciq.

Sot ndërkaq, është paralajmëruar se do të ndryshohet edhe emri i iniciativës minishengen.

“Nuk jemi torollak e as naiv të mendojmë që dikush do të punojë në favor të shteteve tona, nëse ne nuk e bëjmë këtë”, tha Vuciq.

Kurti tha se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, ja çfarë thotë Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kushdo që mendon se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele. Rama këto komente i beri nga Forumi Rajonal për Bashkëpunim Ekonomik që po mbahet në Shkup duke thënë se inciaitiva e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e hapur për të gjitha shtetet e rajonit që duan t’i bashkohen.

“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë  për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’ia dhënë hegjemoninë Serbisë sepse është më e madhe  dhe do vijë të na marrë krejt çka kemi, e para jeton në një botë paralele e dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu atëherë edhe BE është një Jugosllavi e madhe, nëse BE është një Jugosllavi e madhe atëherë kjo është një Jugosllavi e vogël. Por jo kjo është një hapësirë që jeton me mekanizmat e BE-së në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për t’u integruar në BE”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar më parë se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Rama poashtu tha se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tri vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje, dhe është shumë e qartë që kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar.Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnëj aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona për të hapur perspektivë është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha ai.

Ai tha se nisma e tri shteteve s’është asgjë e re por e ngjashme me 4 liritë themelore të BE-së.

“Ne duam të projektohemi për të ardhmën përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është Bashkimi Evropian, duke jetësuar katër liritë themelore të BE-së, lëvizjes së njerëzve,mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.Në momentin që ne integrohemi në BE do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot, pa Bashkimin Evropian. Pra nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë diskutime nëse këto 4 liri do të zbatohen në rajonin tonë”, tha kryeministri shqiptar.

Ai tutje tha se integrimin e rajonit do ta bëjnë tani para se të hyjnë në Bashkimin Evropian.

“Nuk kemi ne pse presim që integrimin e rajonit ta bëjmë pasi të kem hyrë në BE, ne do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë e tre shteteve, kjo nismë që është e hapur për të gjithë, cili do që dëshiron të na bashkohet është i mirëpritur. Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë sepse kemi humbur shekuj”, tha Rama.

Zaev, Rama dhe Vuçiq ia ndryshojnë emrin Minishengenit, kështu do ta quajnë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se projekti i Mini-Shengenit Ballkanik, që synon bashkimin në një treg të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, siguron pikërisht 4 liritë themelore të unionit.

“Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi është të mos ketë ndalje në kufi mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, dhe në të ardhmen shpresojmë edhe më gjerë”, tha Zaev në një konferencë për mediat, para nisjes së takimit me kryeministrin Rama dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç, në kuadër të Forumit Ekonomik të Shkupit.

Zaev tha se vendet e rajonit nuk mund të presin sa plotësohen kushtet e brendshme të Bashkimit Europian.

“Dëgjuam apelin e bizneseve të rajonit dhe nisëm hapat e eliminimit ose pakësimit të procedurave administrative. Kjo do ta bëjë Ballkanin më tërheqës si treg. Moshapja e negociatave dhe mos liberalizimi i vizave në Kosovë, është kundër parimeve të vetë BE. Prandaj ne nuk mund të presim të zgjidhen problemet e brendshme të BE. Ne do të presim kur BE të jetë gati, por duke pasur nismat tona të përbashkëta ekonomike”, tha Zaev.

Zaev e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Ndërkohë raportohet se emri i ri i Shengenit ballkanik do të jetë ‘Open Balkan’.

​Sot mbahet Forumi ekonomik në Shkup

Këtë të enjte në Shkup mbahet forumi ekonomik rajonal me pjesëmarrjen e kryeministrave të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë para samitit, të tre liderët kanë bërë një shëtitje së bashku në sheshin e Shkupit.

Takimi mbahet në kuadër në iniciativës së bashkëpunimit rajonal që njihet si “mini-Shengeni” ballkanik, që sipas paralajmërimit të presidentit serb do të merr një emër të ri.

Zaev, Rama dhe Vuçiq do të nënshkruajnë dy memorandum dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente.

Zaev, Rama dhe Vuçiq do të paraqesin një vizion politik dhe ekonomik për një rajon të integruar.

Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor do të tubojë më shumë se 300 kompani nga Maqedonia Veriore, Serbia, Shqipëria, dhe BeH, si dhe biznese tjera rajonale. Edhe në këtë takim Kosova nuk merr pjesë, sikur edhe samitet e kaluara mes Zaevit, Ramës dhe Vuçiqit.

Në një fjalim që mbajti në konferencën ndërkombëtare “Prespa Forum”, në Ohër më 2 korrik, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën e mini-Shengenit pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat