Nisma "Ballkani i Hapur" që premton rritje të bashkëpunimit mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është përshëndetur dhe kritikuar që pas shpalljes këtë javë nga liderët politikë të tri vendeve.
Por në një shkrim për gazetën "Politika", presidenti Aleksandër Vuçiq thotë se po tentojnë diçka të mirë në interesin e gjithë rajonit.
Sipas tij, në Serbi ende nuk është kuptuar se raportet dhe politika ndryshojnë, dhe kjo do të jetë mundësi e mirë për të shuar frymën e urrejtjes që ekziston ende ndaj shqiptarëve.
"Duhet të jemi të hapur, gati për bashkëpunim, të kapim çdo shans për rritje ekonomike, për lidhje infrastrukturore dhe për shkëmbim idesh. Projekti 'Ballkani i Hapur' është mundësi për shpresë, përgjegjësi, për një të ardhme ndryshe kur nuk na duhet të presim diçka nga qielli, dhurata me një çmim të lartë."
Pak ditë më parë, presidenti Vuçiq me kryeministrin Edi Rama dhe homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, u angazhuan të punojnë për të lehtësuar import-eksportet e përbashkëta, lëvizjen e mallrave, të kapitali dhe të qytetarëve, sipas katër lirive mbi të cilat bazohet edhe tregu i përbashkët i BE-së.
Kosova e ka konsideruar iniciativën të rrezikshme dhe si ide për një Jugosllavi të re, e cila e devijon rajonin nga shinat e integrimit europian.
"Kjo nuk është një politikë që ka për qëllim të rilindë Jugosllavinë, dhe unë nuk mbaj mend që Shqipëria të ketë qenë pjesë e Jugosllavisë. Edhe Themeluesit e Bashkimit Europian e dinin që mund t'i kapërcenin vështirësitë historike vetëm nëse do të fillonin lidhjet nëpërmjet ekonomisë, dhe serbët, shqiptarët e maqedonasit nuk janë më pak të zgjuar e më pak me vlerë sesa francezët, gjermanët, italianët e të tjerët," thotë kryeshtetari i Serbisë.
Nisma "Ballkani i Hapur" zëvendëson nismën e mëparshme të Minishengenit Ballkanik dhe pritet t'i japë efektet e para nga 1 janari i vitit 2023 kur Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të heqin kontrollet e zakonshme në kufijtë përkatës.