Goran Bregoviçin nuk e ka ftuar thjesht organizatori i festës së Birrës në Korçë, apo financuesi i saj. Duket qartë se këtu ka gisht vetë babloku, që para ca kohësh i ka dhënë edhe çelësin e Tiranës.
Bregoviç, është vërtetë një artist mjaft i njohur, popullor në Europë e mjaft i kërkuar në disa vende të BE-së, përpos Ballkanit. Por Bregoviç, njësoj si “siamezi” i tij Emir Kusturica, janë dy intelektualë që kanë zgjedhur me dëshirë që të jenë në krah të Radovan Karagjiçit e Ratko Mlladiçit, gjatë luftrave të tmerrshme të Bosnjës dhe ish-Jugosllavisë.
Bregoviç e Kosturica, edhe sot, janë mbështetja intelektuale e asaj pjese që thotë nuk ka pasur gjenocid, e asaj pjese që Banja Lukën e shohin si një Jeruzalem të serbëve së bashku me Kosovën.
E si i tillë, Goran Bregoviç nuk mund të shihet si një intelektual antirrymë, ai nuk ka qenë kurrë i tillë.
Shqipëria përpara se të ftojë Bregoviçin, duhet ta bëjë ftesën e t’i presë me respekt Sonja Biserkon, Natasha Kandiçin dhe Çedomir Jovanoviçin, që zbuluan varrezat masive dhe krimet e tmerrshme të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.
Le të vijnë ato artistë që nuk e kanë pranuar nacionalizmin e dhunshëm e nuk janë financuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Nëse dikush e ka ftuar Goran Bregoviqin, le ta marrë në shtëpi të vet, dalja e tij në publik, duket qartë që nuk është e mirëpritur nga shqiptarët.
Ka mjaft që e pëlqejnë muzikën e tij, e është gjë normale, ka mjaft që nuk kanë problem ta shikojnë një performancë të tij live dhe sërish nuk kanë problem.
Por ka sërish shumë, që nuk duan ta shohin këtë artist të angazhuar me monstrat e dhunës, të kapërdiset si gjel në atdheun amë.
E për këtë do të duhet urgjent që Goran Bregoviçit t’i anullohet koncerti, e nëse nuk ndodh, të bojkotohet. Ai duket qartë që nuk është i mirëpritur nga shqiptarët e trevave sidomos.
E pikërisht për të mos i lënduar zemrën gjysmës së kombit, shqiptarët e Tiranës le të mos e dëgjojnë Goran Bregoviçin në shesh. Ju pelqen? Të hapin youtube, por jo manifestim politik me duar të fshehura.
Ai që e ka ftuar realisht Bregoviçin, duket qartë se është Edi Rama, i cili së bashku me Grenellin kërkon të bëjë një show, sikur në Shqipëri ka plasur një dashuri e madhe për serbët e Vuçiçit.
Jo, në Shqipëri, nuk ka asnjë problem të vijnë serbë nga të gjitha shtresat, por nëse bëhet fjalë për manifestime publike, duhet të vijnë ata serbë që nuk kanë lënduar shqiptarët, shkruan Pamfleti. Është njësoj që 20 vjet pas Holokaustit, të çojnë në Telaviv për koncert, këngëtaren e preferuar të Adolf Hitlerit…