Gjatë ditës së djeshme u raportua se publicisti Idriz Zeqiraj është nominuar për të qenë ambasador i Kosovës në Republikën e Shqipërisë. Ky lajm u mirëprit nga të gjithë ata që e njohin Zeqirajn si anëtarë të kahershëm të LDK-së në diasporë por edhe nga opinioni më gjerë.
Në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Bota sot”, vet Zeqiraj ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kontakt me institucionet e vendit lidhur me këtë çështje.
“Kemi pasur një rast vdekje dhe prej një jave jam në Tiranë. Nuk kam pasur asnjë komunikim me Kosovën. Rrjedhimisht, as me institucionet e vendit. Andaj, nuk e di se si ka rrjedhur lajmi që keni dëgjuar edhe Ju. Personalisht nuk e besoj lajmin, sepse, paraprakisht, do të isha konsultuar nga institucioni përkatës”, ka thënë Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.
Ndryshe, bashkëpunëtor të z. Zeqiraj, në kushte private i kanë thënë gazetës se ai është modest dhe preferon më shumë që t`iu jap hapësirë të rinjve në pozita udhëheqëse.