Organizata QIKA vlerëson se pjesëmarrja e ministrave dhe qeveritarëve të tjerë në protestën e sotme është e pakuptimtë dhe e pavend, ashtu si deklaratat e tyre shfajësuese (përligjëse) për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.
Kjo organizatë në një komunikatë për medie thotë se, para se të jetë fizikisht në protestë, ministrja duhet të jetë para strategjisë së munguar tash e tetë muaj.
“Strategjia kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje 2016-2020, ka skaduar në dhjetor të vitit 2020, e cila edhe ashtu është zbatuar vetëm pjesërisht. Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për draftimin dhe zbatimin e kësaj strategjie. Protestat e grave po kërkojnë përgjegjësi institucionale për dhunën e vrasjet që po ndodhin”, thuhet në komunikatë.
Sipas QIKA-s, rehatia e qeveritarëve për të protestuar kundër institucioneve që vet i drejtojnë, nuk guxon të lejohet.
“Kërkesat e parashtruara sot në protestë nuk kanë nevojë për mbështetje por realizim. Kjo është detyra juaj. Me konsensus nuk arrihet drejtësia, as barazia. Betejat vazhdojnë”, përfundon komunikata.