Kandidati i AAK-së, për kryetar të Komunës së Prishtinës, Daut Haradinaj, ka reaguar pasi KQZ nuk e certifikoi kandidatin e AKR-së, Selim Pacolli.
Haradinaj tha se e ka pranuar me keqardhje lajmin për mos-certifikimin e Pacollit, ndërsa ka ftuar këtë të fundit që t`i ndjekë të të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e tij.
“Lajmin për ndalesën e kandidimit të Selim Pacollit për Prishtinën e kam pranuar me keqardhje. Z. Pacolli, si nënkryetar i Komunës dhe si kundërkandidat është vlerë e shtuar e garës që i ndihmon debatit dhe garës demokratike. E inkurajoj Z. Pacollin që t'i ndjekë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e vet dhe të respektojë vendimet e gjyqësorit. Sido që të jetë verdikti, pa paragjykuar, roli i Z. Pacollit për Prishtinën në këtë garë ka qenë dhe është pozitiv dhe civil”, përfundoi Haradinaj.
Ndryshe, Selim Pacolli njoftoi se KQZ nuk e kishte certifikuar kandidaturën e tij për Prishtinën për shkak të mos deklarimit me kohë të pasurisë.